Kosova

BE dhe SHBA urojnë Osmanin, bëjnë thirrje për reforma e dialog

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bahskuara të Amerikës kanë uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.
“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapo konsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në urimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Adhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett e ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun për zgjedhjen në këtë pozitë.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme paqësore, të drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, thuhet në një postim të ambasadorit Kosnett në rrjetin social Twitter.
Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes. Pas zgjedhjes, ajo bëri betimin para deputetëve.
Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë