Kosova

BE dhe SHBA: Të gjithë përgjegjësit të japin llogari për Banjskën!

Nga Gazeta 'Si'- Bashkimi Europian ka thënë se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, të japin llogari.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a duhet Serbia të bashkëpunojë me Kosovën në proceset gjyqësore që do ta pasojnë, zëdhënësi Stano tha:

“Po, kjo është ajo që ne kemi nënvizuar në mënyrë të vazhdueshme, për ato raste ku kryesit e dyshuar janë në Kosovë”.

Stano tha, gjithashtu, se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në lidhje me të dyshuarit për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndaj mediave dhe qytetarëve në trazirat e muajit maj të vitit të kaluar.

“BE-ja, në mënyrë të përsëritur, ka shprehur pritjet që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të kapur dhe për t’i sjellë shpejt para drejtësisë kryesit e akteve të dhunës nga ana e protestuesve serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj të vitit 2023. Gjithashtu, edhe për sulmet e dhunshme më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, tha ai.

Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në një vjetorin e vrasjes së tij në krye të detyrës në Banjskë.

“Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, sot një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës.”, ka shkruar ambasadori Hovenier në rrjetin social X.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë