Politike

BE dhe Italia “dhëmb për dhëmb” për emigrantët

Edhe pse 150 emigrantët e bllokuar në anijen “Dicioti” u strehuan në momentin e fundit nga Shqipëria, Irlanda dhe Italia, ministri i Brendshëm, Matteo Salvini e shfrytëzoi këtë situatë për të sulmuar ashpër BE-në, të cilën e quajti një organizatë të korruptuar.

“Europa ka demonstruar edhe një herë se nuk i meriton paratë tona”, tha udhëheqësi i Lega Nord, të dielën në qytetin e vogël të Pinzolo. Italia filloi të shtunën zbarkimin e emigrantëve nga anija e shpëtimit, e cila qëndroi e ankoruar për pesë ditë në një port sicilian, duke shkaktuar një përplasje të hidhur midis Romës dhe partnerëve të saj të Bashkimit Europian. Emigrantët, të cilët vinin kryesisht nga Eritrea, u bllokuan në portin e Catanias që nga e hëna e kaluar, sepse qeveria italiane nuk pranoi strehimin e tyre derisa shtetet e tjera të BE-së të binin dakord të merrnin disa prej refugjatëve.

Shqipëria i vjen në ndihmë Italisë

Drama e emigrantëve të refuzuar nga të gjitha vendet europiane, ka përfshirë papritur edhe vendin tone, pas vendimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për të strehuar një pjesë të tyre. Sipas mediave italiane, qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me Romën, pas një bisede telefonike mes Bushatit dhe kolegut italian Moavero Milanesi. Salvini tha në një njoftim për shtyp se Shqipëria ishte ofruar të pranonte 20 prej emigrantëve ndërsa pjesa tjetër do të strehohej nga Kisha Katolike e Italisë.

“Kisha ka hapur zemrën dhe portofolin e saj”, shtoi Salvini.

Matteo Salvini në Pinzolo

Pavarësisht takimit të nivelit të lartë mes vendeve anëtare të BE në Bruksel të premten, unioni nuk arriti të gjente një zgjidhje për emigrantët e Diciotit.

“Bashkimi Europian ka vendosur edhe një herë t’i kthejë shpinë Italisë- shkroi zëvendëskryeministri Luigi Di Maio në faqen e tij në Facebook- Ata kërkojnë që qytetarët italianë të pagujanë 20 miliard euro apo ajo? Atëherë le të tregojnë se i meritojnë dhe të marrin përgjegjësinë për një problem që nuk mund ta përballojmë më vetëm. Kufijtë e Italisë janë kufijtë e Europës”.

Por Komisioni Europian tha të premten se nuk do të përulet ndaj kërcënimeve të Romës. Kryeministri Giuseppe Conte sulmoi BE për mungesën e mbështetjes dhe tha se Italia mund të dalë kundër miratimit të buxhetit shumëvjeçar të bllokut europian. Ai tha në Facebook se takimi i së premtes në Bruksel ishte “një humbje e madhe Europën dhe një shkelje e shpirtit të solidaritetit, i cili duhet të jetë parimi themelor i BE-së.”

Italia dhe Malta po përpiqen vazhdimisht për të negociuar një zgjidhje me disa nga shtetet e BE-së, si Gjermania apo Franca. Por në rastin e anijes “Diciotti”, frontet mbetën të ngurtësuara.

Qëkurse qeveria mes Lega dhe Lëvizjes Pesë Yje erdhën në pushtet tre muaj më parë, Italia po ndjek një kurs të ashpër kundër migracionit dhe bën presion mbi BE. “Kjo qeveri ndjek një politikë rigoroze dhe koherente të migracionit, dhe nuk i lë vetëm njerëzit në gjendje kritike apo rrezik jete,” tha kryeministri Conte në një deklaratë.

Refugjatët e bllokuar në brigjet italiane

Ndërhyrja e Prokurorisë

Pas dramës për emigrantët që nuk lejoheshin të zbrisnin prej bordit të anijes italiane “Diciotti”, organet e drejtësisë italiane kanë nisur hetimet ndaj ministrit të Brendshëm Matteo Salvini. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe privim lirie.

Salvini konfirmoi se ndaj tij po hetohet, sepse në mes të muajit gusht ai kishte urdhëruar që njerëzit që shpëtoheshin nga anijet në Detin Mesdhe duhet të lejohen të zbresin nga bordi i anijeve, vetëm pasi shtetet e tjera evropiane të kenë rënë dakord që të pranonojnë disa emigrantë. Pas një sërë ditësh diskutimesh të kota mes vendeve të BE-së, Shqipëria, Irlanda dhe Kisha Katolike në Itali ranë në fundjavë dakord të strehojnë 140 emigrantët e mbetur në anijen “Diciotti”.

Salvini e kritikoi ashpër hapjen e hetimeve të prokurorisë Agrixhentos kundër tij: “Është e pabesueshme të jetosh në një vend ku dhjetë ditë më parë u rrëzua një urë nën të cilën vdiqën 43 vetë dhe askush nuk po hetohet”, tha ai në një miting në Pinzolo, në Italinë e Veriut. “Dhe prokuroria heton kundër një ministri që do të mbrojë kufijtë e vendit të tij. Ky është turp.”

Zëvendëskryeministri italian Luigi Di Maio

Para turmës që duartrokiste, ai vazhdoi,” Ju keni një qeveri që do t’i mbrojë qytetarët italianë deri në fund.” Ministri i Brendshëm italian i quajti hetimet kundër personit të tij si një “medalje nderi”. Shifra e sondazheve pro Salvinit janë rritur ndjeshëm që kur qeveria e re mori detyrën në qershor.

Agjencia u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të ofrojnë “urgjentisht” vendet e zhvendosjes për njerëzit e shpëtuar, në përputhje me një marrëveshje në një samit të BE në qershor dhe ndërkohë i kërkoi Italisë të lejonte “zbritjen e menjëhershme të atyre në bord”.

Roma kishte refuzuar të tërhiqej, pavarësisht kritikave nga grupet e të drejtave dhe opozitës, me Salvini duke thënë se ai i konsideronte sulmet që ai mori për të qenë një “nder nderi”.

Burimet: “Euroactiv”, “DW”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë