Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore ka parashikuar në rënie rritjen ekonomike të Shqipërisë, për vitin 2023, në vetëm 2.2%.
Në raportin e fundit, BB ka ulur me 1.3 pikë përqindje parashikimin, nga ai që kishte bërë në qershor të 2022-shit për vendin tonë. Në 2024-n, Banka ka parashikuar rritje ekonomike me 3.4%, vetëm 0.1 pikë përqindje më pak se në qershor.
BB parashikon ngadalësim me 2.5% për të gjithë aktivitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, ndikuar nga ngërçet politike në këto vende.

“Reformat e nxitura nga BE për anëtarësim dhe investimet, zbusin efektet negative të çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve. Megjithatë, ekziston një pasiguri e madhe politike, me rrezik që të krijojnë ngërçe parlamentare vonesat në zbatimin e reformave dhe kështu parandalimi i përthithjes efikase të fondeve përkatëse për vendet në BP”, – theksohet në raportin e Bankës.
Në Rajon, Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në nivelin 3.7%, ndjekur nga Mali i Zi me 3.4%, Bosnja 2.5%, Maqedonia e Veriut 2.4% dhe Serbia 2.3%.
Në nivel global, rritja ekonomike do të ulet me 1.7% në 2023-shin, sipas BB-së. Kjo rënie vlerësohet të jetë me bazë të gjerë, duke pasqyruar efektet e pandemisë së Covid-19 dhe luftës. Ndërsa, në fund të 2024-s, rritja ekonomike do të jetë 6% më e ulët nga se pritej gjatë pandemisë.
“Nivelet mesatare të të ardhurave, për më tepër, janë duke u gërryer ndjeshëm, nga inflacioni, zhvlerësimet e monedhave dhe nën-investimi në njerëz dhe në sektorin privat. Borxhi është rritur dhe pushtimi rus i Ukrainës ka shtuar kosto të mëdha, duke mos lënë hapësirë as për mbështetje fiskale për qytetarët”, – thuhet në raportin e janarit 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



