Shqipëria është më e rrezikuara ndër të gjithë vendet e Europës përsa i përket fenomeneve natyrore, veçanërisht ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve.
Tërmeti më i fundit shkatërrimtar në 2019-ën që preku të paktën 200 mijë individë në 11 bashki me një efekt madhor ekonomik, shtoji kësaj situate edhe pandeminë gati një vjeçare, bëri që gjendja ekonomiko-financiare e vendit të kthehej një dekadë mbrapa.
Ky është konkluzioni i Bankës Botërore në raportin më të fundit të publikuar “Indeksi i Rreziqeve 2019”.
“Çdo vit mesatarisht 30 mijë njerëz dhe më shume se 95 përqind e bashkive janë prekur nga katastrofat natyrore gjatë periudhës 1995-2015. Kosto ekonomike e këtyre fatkeqësive është e lartë si për sektorin privat ashtu dhe për atë publik. Ndryshimet klimatike mund t’i shpeshtojnë dhe rëndojnë fatkeqësi të tilla të motit. Shqipëria zotëron pak instrumenta financimi ndaj rreziqeve natyrore dhe hendeku i mbrojtjes përmes sigurimeve ndaj këtyre fenomenve të natyrës është i madh. Në përballimin e dëmeve prej fatkeqësive natyrore, vendi mbështetet kryesisht në rialokime të fondeve publike, huamarrje apo ndihmës së donatorëve”- citon raporti i Bankës Botërore që vlerëson se fatura financiare e tërmetit të 26 nëntorit 2019 qe 123,592,274 dollarë.
Raporti argumenton se ndikimi i pandemisë, nga ana tjetër, e ka bërë Shqipërinë më të dobët përballë katastrofave. Në këtë tablo të paqartë e të pasigurt, problematike sipas BB është ulja e kapaciteteve të qeverisë, familjeve dhe bizneseve për të marrë veten pas katastrofave.
Kompania e modelimit të riskut global AIR Worldwide në këtë raport vlerëson se dëmet mesatare në të ardhmën nga tërmetet dhe përmbytjet si 147 milionë USD në vit, me një ngjarje katastrofike për shembull tërmet 1 në 100 vjet që shkakton dëme deri në 2 miliardë dollar. Tërmetet e kësaj natyre nuk janë të shpeshtë, por mund të shkaktojnë dëme të mëdha (siç ishte ai në 2019) dhe vlerësohen se shkaktojnë një mesatare prej 99 milionë USD dëme në vit. Në anën tjetër, përmbytjet sipas raportit, janë më të lokalizuara, por i kanë dëme më të shpeshta që vlerësohen me një mesatare prej 48 milionë dollar në vit. Këto vlerësime mbulojnë asetet e sektorit privat por jo ato publik.
Raporti i Bankës nënvizon se nga viti 1995-2015 ka një mesatare prej 30 mijë njerëzish që preken çdo vit nga fatkeqësitë natyrore dhe më shumë se 95 për qind e bashkive ishte prekur nga të paktën një fatkeqësi.
Banka Botërore arsyeton se ndryshimet klimaterike mund të rrisin më tej ashpërsinë apo frekuencën e fatkeqësive që lidhen me natyrën të tilla si përmbytjet apo stuhitë.
“Ndikimi i krizës COVID-19 në ekonominë e vendit ishte i thellë, por ndikimet në vazhdim mbeten të pasigurta, si në shumë vende të tjera në botë. Përveç ndikimit shëndetësor dhe njerëzor, pandemia sjell ndërprerje ekonomike në të gjithë botën – trajtimi i këtyre ndërprerjeve mund të jetë veçanërisht sfidues në ekonomitë në zhvillim. Ekonomia e Shqipërisë u godit rëndë: PBB pritet të bjerë me 8.4 përqind dhe deficiti fiskal të rritet deri në 8.5 përqind në 2020, së bashku me rritjen e papunësisë dhe varfërisë (Banka Botërore 2020b). Në 2021, ekonomia parashikohet të rimëkëmbet, por ende të mbetet nën nivelin e parashikimeve para-COVID-19. Fatkeqësitë do të ndodhin pavarësisht nga pandemia, dhe COVID-19 mund të pengojë përgatitjen financiare për këto ngjarje”- citon raporti.
Përpjekja për të adresuar pandeminë, vijon ai më tej, po shteron rezervat e qeverisë, ndërsa të ardhurat përkohësisht bien. Po rrit gjithashtu borxhin publik, nga ana tjetër duke zvogëluar kapacitetin e huamarrjes dhe duke paraqitur kufizime të likuiditetit. Për më tepër, ndikimi i COVID-19 është zvogëlimi i kapacitetit të rimëkëmbjes së bizneseve dhe familjeve, ndërsa gjithashtu rrit papunësinë dhe varfërinë përballë katastrofave të ardhshme. Të marra së bashku, këto efekte po e bëjnë Shqipërinë më të ndjeshme ndaj katastrofave natyrore.
Raporti sugjeron se është e rëndësishme, që të parashikohen këto ndikime, si dhe të përgatiten për zhvillime të mëtejshme të COVID-19 (për shembull, vala e tretë e mundshme).
Kjo përpjekje mund të përqendrohet potencialisht në mbrojtjen financiare për njerëzit më të prekshëm dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke siguruar që burimet buxhetore të jenë në dispozicion dhe planet e paparashikuara të gatshme për një valë të tretë të COVID-19 dhe katastrofave natyrore.
Duke vlerësuar dhe analizuar hendekun e financimit, raporti sugjeron strategji për financimin e rrisqeve. Aktualisht, Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë po punojnë së bashku për të zhvilluar strategjinë e financimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore mbështetur në rekomandimet e raportit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.