Nga Gazeta ‘SI’ – Në një analizë më të plotë, Banka Botërore tregon se inflacioni në Shqipëri është i brendshëm dhe orientohet kryesisht nga fitimet e rritura dhe pagat.
Sipas raportit, në Shqipëri fitimet, që llogariten si diferencë ndërmjet vlerës së shtuar bruto dhe kostos së punës, nisën të rriten nga mesi i vitit 2021, por patën një rritje të fortë në 2022, duke e shtyrë inflacionin me 7.7%. Kjo për arsye se pjesa e të vetë-punësuarve që fitojnë të ardhura të përziera që llogariten si fitim ka një peshë më të madhe në inflacion.
Ndonëse inflacioni në vendet e rajonit ka qenë më i lartë, efekti i fitimeve në të ka qenë më i madh në Shqipëri.
Nga ana tjetër, kontributi më i ulët i pagave (edhe për shkak të informalitetit) kufizon efektin e pagave në inflacion në Shqipëri, por përsëri BB e quan si një faktor nxitës.
Po ashtu, Banka thekson se zhvlerësimi i euros ndihmoi në stabilizimin e inflacionit, i cili do të ishte më i lartë me një lek më të dobët.
Banka Botërore tregon se fitimet u bënë nxitësi më i madh i inflacionit të brendshëm në vitin 2021 në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë dhe Mali i Zi, dhe në vitin 2022 në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që rritja e pagave ishte shkaktar i inflacionit në Serbi dhe Mal të Zi nga fillimi i vitit 2022, dhe në Maqedoninë e Veriut dhe B&H nga fundi i vitit 2022.
Faktorët e inflacionit në vendet e Rajonit
Në Bosnjë gjithashtu fitimet ishin shtytësi kryesor i inflacionit në vitin 2021 dhe mbetën të forta përgjatë vitit 2022, duke kontribuar me rreth 5.3 pikë përqindjeje në inflacion.
Një rritje graduale e pagave rriti kontributin e tyre në inflacion nga viti 2022 dhe ishin nxitësi kryesor i inflacionit në gjashtëmujorin e dytë 2022.
Në Maqedoninë e Veriut, roli i fitimeve në nxitjen e inflacionit mbeti relativisht i ulët në vitin 2021, me një kontribut mesatar prej rreth 0.7 pikë për qind.
Megjithatë, në vitin 2022, ato kontribuuan me 5.7 pikë përqindje në inflacion. Kontributi i pagave u bë pak më i madh se ai i fitimeve në gjysmën e dytë të 2022.
Në Mal të Zi, fitimet e shtynë inflacionin mesatarisht në rritje me 3.7 pikë përqindjeje në vitin 2021, por në vitin 2022 ky trend u ndërpre nga rritja e punësimit dhe e pagës minimale, të cilat rritën kostot e punës. Që atëherë, pagat janë bërë një kontribuues kryesor në inflacion.
Së fundi, taksat neto kontribuan gjithashtu në një rritje të inflacionit në vitin 2022, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut. Në vitin 2022, taksat neto në Maqedoninë e Veriut ulën inflacionin me 5 pikë përqindjeje.
Kjo ndodhi për shkak të një rritje të mprehtë të subvencioneve për produktet e shportës. Kjo peshë ndryshoi në vitin 2023 kur qeveria e Maqedonisë së Veriut reduktoi subvencionet për ekonominë.
Në vendet e tjera, taksat neto kanë pasur presion të vogël. Banka Botërore analizon se presionet inflacioniste po pakësohen në të gjithë Ballkanin Perëndimor, por nevojitet ende vigjilencë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.