Ekonomi

BB: Shqipëria me rritjen më të vogël në rajon të çmimeve të ushqimeve

Instat raportoi se për muajin korrik rritja e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte 12 për qind, por Banka Botërore mendon se inflacioni në vendin tonë për këtë kategori ka qenë më i lartë.

Banka ka përditësuar raportin me sigurinë ushqimore globale dhe sipas të dhënave të saj, inflacioni i ushqimeve në Shqipëri ka qenë 13.2 për qind.

Për qershorin, Instat raportoi inflacion 12.6 për qind të ushqimeve. Por, Banka Botërore thotë në të njëjtin raport të përditësuar se në këtë muaj inflacioni për këtë kategori ishte 11.8 për qind, pra 0.8 për qind më pak.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është vendi me rritjen më të ulët të çmimeve të ushqimeve në rajon, ku kryeson Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe më pas Kosova.

Banka Botërore thotë se në korrik, inflacioni i ushqimeve në Kosovë ishte 19.2 për qind, në Serbi, 19.3 për qind, Maqedoninë e Veriut 21.5 për qind dhe Mal të Zi 23.1 për qind.

Raporti thekson parashikon rritje të mëtejshme të çmimeve në muajt në vazhdim, rritje që do të diktohet nga çmimet e karburanteve dhe masat bllokuese të eksportit që kanë ndërmarrë shumë vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë