Ekonomi

BB: Rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet, inflacioni 5% këtë vit

Çmimet e larta nga Lufta në Ukrainë do të ulin konsumin dhe do të rrisin kostot për bizneset shqiptare sipas raportit të Bankës Botërore “Manovrim mes krizash” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

BB-ja parashikon se lufta do ta frenojë rritjen ekonomike të Shqipërisë e cila pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022.

Sipas raportit, faza më kritike e krizës do të arrijë të zbutet në tremujorin e dytë të 2022, edhe nëse efektet e sanksioneve vazhdojnë gjatë gjithë vitit 2022, madje edhe në vitin 2023.

Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve për shkak të importeve nga Rusia dhe Ukraina.

Shqipëria ka një vëllim të ulët të tregtisë me Rusinë dhe Ukrainën, por do të përjetojë pasoja negative nga lufta në Ukrainë, për shkak të marrëdhënieve të forta tregtare me BE-në, ka theksuar edhe Instituti i Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare.

Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit.

Inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit.

Borxhi publik pritet të stabilizohet në 73.9 për qind të PBB-së në vitin 2022, përpara se të ulet gradualisht në periudhë afatmesme.

Hapësira fiskale mund të përkeqësohet

Megjithatë, hapësira fiskale mund të përkeqësohet akoma më shumë sipas një skenari negativ, ku lufta vazhdon për një periudhë të zgjatur duke çuar në ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të BE-së dhe si rrjedhojë në rënie të eksporteve shqiptare drejt partnerëve më të rëndësishëm tregtarë në BE që përbëjnë 60 për qind të eksporteve të saj.

Banka vlerëson se, në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Për më tepër, duke qenë se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit mbeten të larta.

Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5 për qind në periudhë afatmesme.

Konsumi privat parashikohet të kthehet në faktorin kryesor shtytës të rritjes së PBB-së. Investimet private mund të mbështesin më tej rritjen nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit.

 Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në periudhë afatmesme, pasi eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i shpejtë i operacioneve të procesit të biznesit, pritet të rriten duke reflektuar tendencat parapandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë