Ekonomi

BB: Rritja e borxhit do të ulë investimet. Kujdes me nevojën për rifinancim

Banka Botërore ka analizuar se rritja e borxhit publik të Shqipërisë në rekorde historike do të ulë aftësinë për investime apo drejtime të tjera.

Banka sinjalizoi se, pas vitit 2021, shpenzimet buxhetore në Shqipëri ka të ngjarë të tkurren për shkak të hapësirës së kufizuar fiskale, duke qenë se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të rritet në 78.6% në 2021, dhe më pas të ulet gradualisht në periudhë afatmesme.

Pavarësisht të ardhurave më të larta, deficiti fiskal mbeti i lartë. Të ardhurat buxhetore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ishin 20.1% më të larta në terma vjetorë dhe 3.6% mbi nivelin e së njëjtës periudhë në vitin 2019.

Rritja e të ardhurave të mbledhura dhe borxhi i ri i krijuan qeverisë mundësinë të rrisë shpenzimet. Nëpërmjet një akti normativ, në korrik 2021, qeveria pezulloi përkohësisht rregullin fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit që përcaktonte një raport në rënie të borxhit ndaj PBB-së.

Banka përcaktoi se qeveria përmbushi nevojat për financim me eurobondin e vitit të shkuar, e cila e çoi borxhin në një nivel tjetër të lartë prej 78.6% në raport me PBB-në, por ndërkohë, vendi nuk ka amortizues të mjaftueshëm në rast të përballjes me një valë të re pandemike. Në mungesë të konsolidimit fiskal, shtrëngimi i kërkesës dhe rritja e normave të interesit në tregun financiar ndërkombëtar mund të çojnë në shfaqjen e riskut të rifinancimit.

Banka këshilloi se varësia gjithnjë e më madhe tek financimi i jashtëm do të bëjë që rreziku i kursit të këmbimit, rreziku i normave të interesit dhe ai i rifinancimit të mbeten të larta.

Parashikimi për rritjen me 7.2% në vitin 2021 Banka Botërore e bazoi në vijimin e procesit të vaksinimit, mungesën e mbylljeve të tjera për shkak të pandemisë, dhe vijimin e rimëkëmbjes të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi dhe ndërtimi. Në planin kohor afatmesëm, konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë