Ekonomi

BB: Rimëkëmbja e Shqipërisë, e pasigurt. Tkurrja e ekonomisë 8,4% në 2020

Kujdes borxhin!

Banka Botërore vlerëson se dëmet e shkaktuara nga kriza shëndetësore e COVID-19 do të shkatërrojnë ekonomitë e Rajonit të Ballkanit Perëndimor saqë edhe rimëkmbja shfaqet e pasigurt. Kjo vlen më shumë për Shqipërinë e cila përjetoi një goditje të mëparshme nga tërmeti i nëntorit 2019.

Nisur nga të gjithë faktorët negativë, BB parashikon një tkurrje të ekonomisë shqiptare në 2020-ën me 8,4% dhe rritje pozitive 5,5 % në 2021.

Kurse rajoni do të tkurret sipas BB-së me 4,8% këtë vit.

Banka Botërore ka publikuar raportin e vjeshtës me titull “Një rimëkëmbje e pasigurt”.

Sipas raportit situata fiskale e Shqipërisë do të përkeqësohet gjatë 2020-ës; rënia e konsumit privat pritet të ketë kontribut negativ prej 5.2 përqind në rritjen ekonomike. Pavarësisht gjithë financimeve të qeverisë për rindërtimin pas tërmetit, investimet pritet të kontribuojnë me vetëm 0.2 pikë përqindje (pp) në rritje. Eksportet neto pritet të kenë kontribut negativ prej 3.4 përqind në rritjen ekonomike.

Kriza, citon raporti, shkaktoi probleme edhe në tregun e punës në Shqipëri; shumë punëtorë kanë marrëveshje informale të cilat janë më të cënueshme nga stresi ekonomik. Për t’iu kundërpërgjigjur krizës, autoritetet shqiptare vendosën subvencionimin e pagave për bizneset më të prekura nga situata, rritën shpenzimet për përkrahje sociale, miratuan një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e kredive si dhe ofruan garantim të kredive për të lehtësuar aksesin në kapitalin qarkullues.

Megjithatë thekson raporti, shumë punëtorë dhe sipërmarrës informalë në vend ende po vuajnë pasojat e krizës. Punësimi pësoi rënie në të gjithë vendin, duke u ulur me 3.6 përqind në terma vjetorë në TM2. Papunësia u rrit me 0.4 pp duke arritur në 11.9 përqind, dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës pësoi rënie.

 Inflacioni ka qenë nën kufirin e synuar, duke shënuar një vlerë mesatare prej 1.8 përqind në gjysmën (Gj1) e parë të vitit 2020, vetëm 0.3 pp më i lartë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2019.

BB parashikon në raportin e saj që deficiti i llogarisë korrente (CAD) të rritet në rreth 11.9 përqind të PBB-së për vitin 2020. Pakësimi i fluksit të turistëve, ulja e porosive të përpunimit të tekstileve si dhe ulja e çmimeve të naftës pritet të çojnë në rënie të eksporteve me 37 përqind. Pozita fiskale e Shqipërisë për vitin 2020 pritet të përkeqësohet me rritjen e parashikuar të deficitit në 8.5 përqind të PBB-së. Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të ulë raportin e të ardhurave tatimore ndaj PBB-së nga 25.7 përqind e PBB-së në 2019 në 24.1 përqind. Të dy këta faktorë së bashku, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i lartë fiskal, pritet ta rrisin borxhin publik të Shqipërisë në 81.4 përqind të PBB-së.

Raporti duke marrë parasysh një skenar optimist se pandemia do të vihet nën kontroll deri në fund të vitit, parashikon që PBB-ja në vitin 2021 të rikthehet në rritje me 5 përqind, për shkak të rimëkëmbjes së eksporteve, konsumit dhe investimeve.

Gjithashtu, vijimi i procesit të rindërtimit të strukturave të dëmtuara nga tërmeti pritet t’i japë hov rritjes ekonomike, siç ka ndodhur në situata të ngjashme në ekonomitë e tjera në zhvillim. Pas kësaj periudhe, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit. Investimet private dhe ato publike do të kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në rritjen ekonomike për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimet në infrastrukturë. Sektori i shërbimeve, kryesisht ato që lidhen me turizmin, dhe sektori i ndërtimit pritet të jenë kontribuesit kryesorë sektorialë në rritjen ekonomike.

Defiçiti i llogarisë korrente pritet të ulet në 10.1 përqind të PBB-së në 2021 dhe më tej të ngushtohet gradualisht në 8 përqind, në linjë me trendin e periudhës së para krizës, si rezultat i përmirësimeve të parashikuara në bilancin tregtar. Në periudhë afatmesme, eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi dhe operacionet e proceseve të biznesit të cilat po zgjerohen me shpejtësi, do të çojnë në ngushtim të deficitit tregtar. Në vitin 2021 importet pritet të rriten me 12.8 përqind si pasojë e përshpejtimit të investimeve në infrastrukturë. Gjatë periudhës së parashikimit, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte, kryesisht në sektorin e turizmit, energjisë dhe industrisë përpunuese, parashikohen të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korrente. Me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të arrijnë në 27.6 përqind të PBB-së deri në vitin 2022, kohë në të cilën parashikohet një rënie e vogël e borxhit publik të Shqipërisë.

Raporti i sugjeron autoriteteve të vijojnë të zbatojnë rregullin fiskal mbi dinamikën e borxhit, i cili përcakton se raporti i stoku i borxhit publik dhe të garantuar ndaj PBB-së nuk duhet të rritet nga viti, dhe ky rregull kërkon që duke filluar nga viti 2023 të ruhet një bilanc primar pozitiv. Perspektiva e punësimit varet kryesisht nga rimëkëmbja e sektorëve të shërbimeve dhe vlerës së investimeve në rindërtimin e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë