Ekonomi

BB: Inflacioni, kontratat PPP dhe fatkeqësitë natyrore rrezikojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë

Nga Gazeta ‘Si’ – Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë shihen si një rrezik i rëndësishëm për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Këtë theksoi Banka Botërore nëpërmjet raportit të rregullt rajonal “Drejt rritjes së Qëndrueshme”, në të cilin u vlerësuan si rreziqe potenciale për perspektivën kontratat koncesionare PPP dhe fatkeqësitë natyrore.

Banka analizoi se çmimet e larta ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme dhe ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht kufizojnë hapësirën fiskale.

Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në Europë dhe shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare në vitet në vijim.

Ndërsa si rreziqe të brendshme potenciale konsiderohen fatkeqësitë natyrore, partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore, si dhe rreziqet fiskale që rrjedhin nga një sektor energjetik i bazuar në hidrocentrale, të cilat varen kryesisht nga ndryshimet në kushtet hidrologjike.

Raporti thekson se në kontekstin e shtrëngimit të kushteve financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Europë, rritja e PBB-së pritet të ngadalësohet në 3.6 për qind në vitin 2023.

Megjithatë, rritja e sektorëve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisë eksportet, konsumin dhe rritjen e investimeve me ritme të ngjashme me periudhën para pandemisë, referoi BB, në pjesën për Shqipërinë. Kontributi i përgjithshëm i investimeve në rritjen ekonomike pritet të ngadalësohet, për shkak të efektit të bazës shumë të lartë krahasuese dhe përfundimit të programeve për rindërtimin pas tërmetit.

Sipas raportit, norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3 për qind në vitin 2024. Borxhi publik pritet të vijojë rënien gjatë periudhës afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë nominale dhe përmirësimit gradual të bilancit primar.

 Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, raporti thekson se rreziqet që lidhen me kursin e këmbimit, normën e interesit dhe rifinancimin mbeten të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë