Biznes

BB: Firmat shqiptare me produktivitet të ulët. Informaliteti dhe taksat e larta pengesë

Banka Botërore në vrojtimin më të fundit të ndërmarrjeve për Shqipërinë vëren se produktiviteti i tyre është ende i ulët duke i penguar firmat të rriten e krijojnë më shumë vende pune. Në krye të listës si faktorë pengues, BB vëren informalitetin dhe taksat e larta që po e bëjnë biznesin të mos ngrejë kokë.

Ekipi i Vrojtimit të Ndërmarrjeve të Grupit të Bankës Botërore ka publikuar të dhënat nga anketa e re për Shqipërine për 2019. Të dhënat janë mbledhur në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindertim e Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Europiane për Investime (BEI). Vrojtimi i Ndërmarrjeve është anketim i kompanive që përfshin një varg të gjerë të çështjeve të biznesit si aksesin në financë, korrupsionin, infrastrukturën, krimin, konkurueshmërinë, dhe njësitë matëse të performancës. Rezultatet e vrojtimit përdoren për të informuar, dhënë përparësi dhe gjurmuar në kohë reforma të rëndësishme që i mundësojnë kompanive të rriten.
Kampioni i këtij vrojtimi përbëhet nga pronarë të bizneseve dhe manaxherë të lartë nga 377 kompani që veprojnë në sektorë dhe rajone të ndryshme. Intervistat janë kryer përgjatë periudhës janar-maj 2019.

Vrojtimi tregon se firmat në 2019 paraqiten më mirë se ato në 2013, vrojtimi i fundit, megjithatë ato kanë ende probleme në drejtime të ndryshme si korrupsioni etj, që u pengojnë rritjen dhe zhvillimin.

Matësi i përgjithshëm i perceptimit të korrupsionit dhe ryshfetit është rritur dukshëm në krahasim me anketën e mëparshme.
Pjesa e firmave që e quajnë korrupsionin si pengesën e tyre kryesore nga viti 2013 ka një rritje nga 6 në 8 përqind.

Matës specifik ku perceptimi i korrupsionit është rritur janë: gjatë ndërveprimit me administratën tatimore, procesi i marrjes së licencave të importit, në vendosjen e lidhjes së energjisë dhe ujit.

Vrojtimi i Bankës Botërore bën një renditje të pengesave që has biznesi bazuar në përgjigjet e të intervistuarve, duke përmbledhur kështu sfidat kryesore në mjedisin e biznesit.

Përshembull rritja reale e shitjeve vjetore është shumë më e lartë se në 2013 dhe po kështu rritja e punësimit vjetor.
Po kështu, kompanitë janë dy herë më shumë të prirura të investojnë për prona të paluajtshme sesa në 2013, shenjë e rëndësishme kjo e zhvillimit pozitiv të sektorit privat.

Që nga viti 2013, ekonomia shqiptare ka parë një rritje të konsiderueshme në perqindjen e mallrave që firmat eksportojnë në tregjet ndërkombëtare. Pesëmbëdhjetë përqind e firmave në 2019 nga nëntë përqind në 2013, eksportuan drejtpërdrejt të paktën 10 përqind të shitjeve të tyre. Shqipëria tani është në mesataren e shifrës së vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore (ECA) për këtë indikator domethënës të veprimtarisë eksportuese.

Me zgjerimin e ekonomisë dhe bizneset sofistikohen në kërkesat e tyre në rritje për një mjedis biznesi me cilësi të lartë. Kjo përfshin qasjen në një gamë më të gjerë të instrumenteve financiare, fuqi punëtore të kualifikuar, sistem gjyqësor të drejtë dhe efikas, cilësi më të mirë të infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Ky studim tregon se si ndërmarrjet shqiptare po përshtaten me sfidat e mjedisit të biznesit dhe po përmirësojnë kapacitetet e tyre.

Për të kapërcyer mospërputhjen e aftësive me kërkesat, ndërmarrjet shqiptare punësojnë më shumë punëtorë, investojnë më shumë në trajnimin e punëtorëve të tyre dhe rinovimin e produkteve ose proceseve të tyre të biznesit. Të dhënat tregojnë një shkallë më të lartë të inovacioneve për firmat private në 2019 krahasuar me vitin 2013. Tetëmbëdhjetë përqind e firmave prezantuan një proces inovacioni në vitin 2019, përkundrejt 4 përqind në 2013. Dyzet e dy përqind e firmave raportuan prezantimin e një produkti ose shërbim të ri në 2019 në krahasim me 10 përqind në 2013, ndërsa mesatarja e ECA është 29 përqind. Përqindja e firmave që investojnë në Kërkim dhe Zhvillim u rrit nga 1 përqind në 2013 në 15.4 përqind në 2019.

Sipas vrojtimit, tregu i punës është bërë më gjithëpërfshirës: përqindja e firmave me gra sipërmarrëse është rritur nga 13.1 përqind në 2013 në 20.7 përqind në 2019, ndërsa përqindja e grave të punësuara me kohë të plotë në mënyrë të përhershme u rrit nga 45.4 përqind në 2013 në 52.8 përqind në vitin 2019.
Sondazhi gjithashtu tregon se ka përmirësime që nga viti 2013 në lidhje me rregulloret. Menaxheret e lartë të firmave private tani kalojnë vetëm 2.3 përqind të kohës së tyre për t’u marrë me rregulloret e nxjerra nga qeveria, përkundrejt 7 përqind në 2013. Mesatarja e ECA është 11 përqind, dukshëm më e keqe se ajo që ka arritur Shqipëria.

BB thekson se lista e pengesave kryesore që bizneset hasin në veprimtarinë e tyre ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme që nga viti 2013, por taksat dhe shkalla e lartë e informalitetit kanë mbetur në krye të listës ndër vite.

Banka Botërore sugjeron se, mjedisi i biznesit në Shqipëri mund të përfitojë ndjeshëm duke vazhduar progresin në reformat që lidhen me sistemin e drejtësisë, qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve publike, arsimin, infrastrukturën dhe qasjen në financa.

Banka Botërore po punon me qeverinë shqiptare për të kapërcyer shumë pengesa të identifikuara në Vrojtimin e Ndërmarrjeve.

Një shembull i fundit është Projekti Rajonal për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit, i cili synon të ulë kostot e tregtisë dhe të rrisë efikasitetin e transportit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm kjo iniciativë pritet të ulë kostot e eksportit dhe importit me më shumë se 10 përqind. Autoritetet shqiptare dhe Banka Botërore po punojnë ngushtë së bashku për thellimin dhe diversifikimin e sektorit financiar në mënyrë që të krijojne mundësi për ndërmarrjet për të investuar dhe rritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë