Ekonomi

BB: Ekonomia në rënie, energjia dhe ujësjellësi rrezik për buxhetin

Banka Botërore e parashikon ekonominë e Shqipërisë me rënie në 2,9 % për vitin 2019, nga 3,8 që e kishte parashikuar në fillim të vitit.

Për të gjashta vendet e rajonit të Ballaknit Perëndimor Banka Botërore parashikon një zgjerim të ekonomisë po me rënie në 3,2 % nga 3,9 që e kishte parashikuar në fillim të këtij viti. Ekonomia e Kosovës është ajo që parashikohet me më shumë rritje në 4%.
Në prezantimin e raportit të 16-të për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore vëren pasiguri në rritje për ekonomitë e rajonin e po ashtu edhe për Shqipërinë.

Investimet përmes Partneritetit Publik Privat dhe Ndërmarrjet Shtetërore konsiderohen një rrezik i vërtetë për buxhetin e shtetit nga Banka Botërore.

“Ne nuk jemi kundër PPP-ve sepse ato janë një mënyrë e mirë për të zgjidhur infrastrukturën e vendit. Por ajo që ne kemi sugjeruar gjithmonë dhe vazhdojmë të sugjerojmë është transparenca dhe përzgjedhja e kontratatve sipas prioriteteve ku të ketë vendimmarrje edhe publiku i cili duhet të jetë përfituesi. Gjithashtu kontratat duhet të përafrohen sa më shumë me standartet ndërkombëtare”- vëren Banka Botërore, e cila thekson se bashkë me PPP-të pa standarte dhe pa transparencë, edhe Ndërmarrjet Shtetërore paraqesin një rrezik për buxhetin e shtetit duke ndikuar në tkurrjen e ekonomisë.

Sipas Bankës, ndërmarrjet shtetërore të sektorit energjetik dhe ujësjellësit konsiderohen si rrezik për konsolidimin fiskal dhe bëhen shkak për shqetësimet e buxhetit duke vënë në rrezik targetin fiskal.

Ekonomia shqiptare vijon të bartë një nga borxhet publik më të lartë në rajon. Borxhi është vlerësuar nga BB mbi 67 %. Megjithëse borxhi ka vijuar të bjerë, thotë BB, konsolidimi i tij ka qenë më i ulët se sa pritej për shkak të realizimit të ulët të të ardhurave dhe trendi i përmirësimit do të stopojë për shkak të zgjerimit të defiçitit tregëtar.

Mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndihmuan në reduktimin e borxhit publik sipas BB-së, por rreziqet e shpenzimeve jashtë bilancit, pash nga PPP-të janë në rritje.

BB referon se rreziqe të tjera që i kanosen ekonomisë duke shkaktuar tkurrjen e saj janë paqëndrueshmëria politike, zbatimi i ngadaltë i reformave strukturore, pasiguria në ekonominë ndërkombëtare, ritmet e rritjes së BE-së më të ngadalta se parashikimet dhe çmimet e metaleve bazë në nivel ndërkombëtar më të ulta se parashikimi.

Një nga treguesit që BB vlerëson si pozitiv është rënia e papunësisë në nivele rekord 11,5 % në tremujorin e dytë të vitit duke patur 60,6 pjesëmarrjen në forcat e punës, një rekord në rajon.

Por, BB nënvizon se Shqipëria ka dobësi strukturore në tregun e punës dhe një hendek gjinor të lartë në këtë treg.

Në lidhje me nismën e qeverisë për fiskalizimin, qëndrimi i Bankës Botërore perceptohet skeptik, “nëse fiskalizimi është mënyra e duhur antiinformalitet, nëse qeveria arrin të kontrollojë dhe të përfshijë sa më shumë tatimpagues në regjistrat fiskalë, mund të shihet si zgjidhje”- shprehet BB.

Ajo sheh si zgjidhje të formalizimit të ekonomisë zgjerimin e bazës së tatimpaguesëve.
Për të nxjerrë ekonominë nga ngërçi dhe për të përshpejtuar rritjen, BB sugjeron vazhdimin e reformave strukturore, politika transparente, jo selektive për një grusht njerëzish, raportim periodik për efektet e incentivave fiskale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë