Para

BB: Borxhi i Shqipërisë sa 67% e PBB-së në 2018-n

Borxhi i Shqipërisë për 2018-n vlerësohet nga Banka Botërore sa 67% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Institucioni financiar ndërkombëtar ka publikuar azhornimin më të fundit të statistikave të borxhit për 120 vendet me të ardhura të mesme dhe të ulta, të cilat raportojnë tek sistemi i Bankës Botërore.

Raporti tregon se shteti shqiptar ka zyrtarisht rreth 3000 kreditorë, ku gjysma e tyre, rreth 1500 janë huadhënës privatë, zotërues bonosh më shumë se sa banka tregtare.
Për vitin 2018 stoku total i borxhit të jashtëm vlerësohet në 10.1 miliardë dollarë, nga rreth 4.2 që ishte në vitin 2008.

Rritja më e madhe e borxhit është mes viteve 2008-2013,kurse pas vitit 2014, rritja e stokut të borxhit është më pak e ndjeshme.

Për treguesin e pagesës së interesave, raporti i PBB-së tregon se në vitin 2018, Shqipëria ka paguar 147 milionë dollarë në formë interesash për borxhin afatgjatë.
Viti 2014 rezulton viti me pagesa më të larta për këtë tregues, me 185 milionë dollarë të paguar nga arka e shtetit vetëm në formë interesash.

Sa i përket disbursimeve ndërkohë, shteti shqiptar në 2018 ka paguar 1.26 miliardë dollarë, në rritje të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë