Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi sot një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për ‘Becchetin’ por në seancën e kësaj të enjteje nuk ishte futur në rend dite.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili me anë të një postimi në X thotë se do t’i shkojë Bardhit në Interpelancë vetëm kur të dalin përfundimet e hetimeve të SPAK, për trafikun e drogës, ku deputeti i PD akuzon vëllain e kryeministrit.
Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të…
— Edi Rama (@ediramaal) December 5, 2024
“Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës! Këto ‘100 e ca milionët’ ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të ‘100 e ca milionë Eurove’ të humbura për shkakun tim.
Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike”, tha Rama.
Kryeministri shkoi edhe më tej kur vendosi publikisht bastin për të ardhmen e tij politike.
“Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare.
Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë.
Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja.
O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!”, deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.