Gazeta Si – Tirana është rikthyer te titulli kampion në basketbollin e meshkujve. Kryeqytetasit arritën të fitojnë trofeun, falë një përmbysjeje të madhe ndaj Besëlidhjes në finalet e ‘play-off’-it, nga 2-0 në 2-3.
Në finalen e 5-të, skuadra e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj fitoi bindshëm, 89-64. Vetë diferenca prej 25 pikësh tregon qartë dominimin e Tiranës në këtë finale. Loja ishte e hapur deri në përfundim të periodës së dytë, kur lezhjanët ishin vetëm 3 pikë prapa. Më pas gjithçka foli për kryeqytetasit.
Lojtarët e Besëlidhjes, me përjashtim të Bernard, gabuan shumë në gjuajtjet drejt koshit dhe më pës u bënë nervozë, duke gabuar edhe më shumë. Në anën tjetër, lojtarët e Tiranës, me në krye Hysenagollin, patën saktësi dhe e kontrolluan mirë lojën. Ata e thelluan rezultatin me kalimin e minutave.
Erkand Karaj në titullin e fundit të Tiranës kishte qenë lojtar në fushë, kurse tani arrin suksesin edhe si trajner. Besëlidhja meriton komplimente për sezonin që zhvilloi, ishte shumë afër titullit pas fitimit të dy finaleve të para, por nuk ia doli përballë një Tirane mjaft të fortë.
Duhet theksuar se pallati i sportit sot ishte mbushur me tifozë. Nuk munguan të sharat dhe momentet e tensionit, aq sa afër fundit pati edhe një ndërprerje të lojës dhe futje të forcave speciale në parket. Në fund pati fair-play mes lojtarëve në fushë, ndërsa festa ishte e gjitha për kryeqytetasit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.