Para

Bashkitë në borxh me bizneset dhe qytetarët. Kavaja dhe Tirana me detyrimet më të larta

Nga Gazeta ‘SI’ – Financat e pushtetit vendor janë përmirësuar lehtë gjatë 2024-s, raporton ministria e Financave, por detyrimet e bashkive mbeten ende të larta. Bashkitë e vendit i detyrohen bizneseve dhe qytetarëve rreth 3.3 mld lekë.

Kavaja, që prej vitesh gjendet në vështirësi financiare për shkak të borxheve në rritje, raporton një rënie të detyrimeve të saj me rreth 100 milionë lekë, nga 2023-shi. Bashkia Kavajë ka një stok borxhi prej 738 milionë lekë.

Sipas vlerës së detyrimeve, bashkia Tiranë renditet e dyta me e 570 milionë lekë borxhe, ndjekur nga  bashkia Pogradec me 238 milionë lekë, më pas vjen bashkia Rrogozhinë me 161 milionë lekë dhe Vorë me 154 milionë lekë, duke ia lënë radhën Dimalit, Dibrës dhe Cerrikut.  

Ministria e Financave tregon se detyrimet e bashkive janë kryesisht investime publike të papaguara, 933 mln lekë, apo shërbime 528 mln lekë.

Për shkak të problematikave të vazhdueshme të bashkive me borxhet, qeveria vendosi të ndërhyjë vetë, me anë të një ligji.

Krerët e bashkive analizojnë situatën financiare të njësisë dhe ia raportojnë atë ministrisë,  bashkë me arsyet e vonesave. Në rast se ta bëjë vetëm me detyrime të vonuara, bashkitë do të marrin plan masash për ‘disiplinim buxhetor’ që nga mbledhja e taksave deri tek ulja e shpenzimeve.

Në rast se bëhet fjalë për një bashki me paaftësi paguese qeveria emëron atje një administrator për të nxjerrë nga situata bashkinë. Administratori bashkë me kryetarin e njësisë ka kohë 2 vite të rikuperojë financat e bashkisë.

Bashkitë mund të përdorin asetet vendore për të shlyer borxhet, por nuk mund të marrin borxhe të reja. Në çdo rast thotë ligji, duhet të sigurohet se pavarësisht borxhit, bashkitë janë ende në gjendje të kryejnë shërbimet minimale publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë