Politike

“Bashkitë janë fryrë me 15 mijë punonjës më shumë në 10 vjet”, Haxhimali: Duhet reformë e re territoriale

Nga Gazeta Si - Javën e ardhshme, kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim të posaçëm të zgjedhurit lokalë, me gjasë, për të diskutuar ecurinë e sezonit turistik dhe problematikat e evidentuara. Por, sipas ekspertit të pushtetit lokal, Agron Haxhimali, i cili drejton Institutin për Bashkitë e Shqipërisë, qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj për mungesat financiare të bashkive.

“Në uljen e të ardhurave ndikon pagesa me vonesë e taksave nga bizneset, por edhe performanca jo e mirë nga qeveria. Qeveria qendrore ka detyrimin t’u transferojë bashkive për shembull, 5% nga renta minerare, por s’e ka bërë akoma këtë”, argumentoi zoti Haxhimali në një intervistë për Gazetasi.al. Ai konfirmon se 10 vjet pas reformës territoriale administrative, numri i punonjësve të bashkive është rritur me 15 mijë persona, duke rritur ndjeshëm nivelin e shpenzimeve për paga.

“Premtimi ishte dhe vazhdon të mbetet propagandë”- tha Agron Haxhimali, i cili analizon pikat e dobëta, ku ka dështuar reforma territoriale, veçanërisht në lidhje me shërbimin ndaj qytetarëve. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë e sheh të nevojshme ndërmarrjen e një reforme të re për pushtetin lokal. “Kësaj radhe- tha ai- reforma duhet bërë me konsensus të gjerë politik mes maxhorancës dhe opozitës nga parlamenti i ri”.

Këto ditë janë publikuar të dhëna për ulje të ndjeshme të buxhetit për pushtetin lokal. Sa qendrojnë këto pretendime? 

"61 bashkitë dhe 12 qarqet kanë në dispozicion rreth 71 miliardë lekë për vitin 2024, gjysma nga arka e shtetit dhe pjesa tjetër nga të ardhurat e veta. Pra, nuk ka ndërhyrje nga qeveria për t'u shkurtuar buxhetet e miratuara në parlament. Ajo për të cilën diskutohet ka të bëjë me objektivin për të realizuar të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore. Në këtë aspekt, mund të kemi mosrealizim të të ardhurave për 6 mujorin e parë 2024, krahasuar me planin për këtë periudhë dhe krahasuar me 6 mujorin 2023. Në uljen e të ardhurave ndikon pagesa me vonesë e taksave nga bizneset, por edhe performanca jo e mirë nga qeveria. Qeveria qendrore ka detyrimin t’u transferojë bashkive psh, 5% nga renta mierare, por s’e ka bërë akoma këtë. Siç raporton Ministria e Financave, treguesit nuk janë pozitivë. Deri tani janë mbledhur 2.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe kjo ulje reflketohet në të ardhurat e bashkive".

Kur pati një përpjekje në parlament për reformë administrative territoriale rreth 2 vit më parë, një nga shqetësimet kryesore ishte rritja e numrit të punonjësve. Pse ka ndodhur ky fenomen, kur fillimisht u deklarua se numri do të ulej me ndarjen e re?

"Une kam qenë i amgazhuar në atë komision bipartizan. Qëllimi ishte i mirë në dukje, por jo i sinqertë politikisht. Megjithatë, i kam ndjekur me vëmendje të shtuar raportet qe vinin, pasi reforma e vitit 2014 nuk përmbushi si dhe sa duhet pritshmëritë e qytetareve. Është e vërtetë që qeveria premtoi uljen e shpenzimeve, duke ulur numrin e punonjësve që ishin angazhuar në 308 komunat, 64 bashkitë dhe 12 qarqet. Por a u mbajt ky premtim? A u bë realitet eficensa dhe efektiviteti i administratës së 61 bashkive të reja? Kjo nuk ndodhi në realitet. Premtimi ishte dhe vazhdon të mbetet propagandë. Por thelbi i reformës nuk duhet lidhur vetëm me numrin e punonjësve, edhe pse është tregues i rëndësishëm. Çështja duhet trajtuar në lidhje me performancën e shërbimeve publike.

Le të marrim furnizimin me ujë dhe kanalizimet. Akoma sot, 10 vjet pas reformës, ku u premtua 24 orë ujë në 61 bashki, furnizimi me ujë në shkallë kombëtare është 13-16 orë në ditë. Të mos harrojmë që, gjatë sezonit të verës, ka edhe më pak oreë furnizimi me ujë në disa bashki,  përfshi Tiranën. Po kështu, reforma nuk arriti të balancojë dhe të integrojë zhvilimin urban-rural, qoftë nga pikëpamja e shërbimeve të ndryshme publike si rrugët, infrastruktura, sistemi i vaditjes, shëndetësia, arsimi, bujqësia, etj. Ndërsa përfaqësimi dhe angazhimi qytetar në vendimarrje dhe llogaridhenie është thuajse inekzistent. Zmadhimi i territorit zvogëloi afrimin e qytetarit me të zgjedhurit, qoftë me kryetarin, qoftë me këshilltarët".

Sipas të dhënave që ju dispononi, sa është rritja e numrit të punonjësve në 61 bashkitë e vendit, krahasuar me 2015-ën, kur u krijuan për herë të parë dhe a janë pozicione të domosdoshme vendet e reja të hapura?

"Numri i punonjësve në 308 komunat, 65 bashkitë dhe 12 qarqet deri në momentin që u miratua harta re e ndarjes territoriale dhe ligji i ri për vetëqeverisjen vendore ka qenë më pak se 22.000 punonjës. Sipas raportit 2023 të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, i cili i referohet sistemit informatik financiar të Qeverisë (SIFQ), numri total i punonjësve faktikë për 61 njësitë e qeverisjes vendore rezultoi

36,995 punonjës. Po i referohem vetëm ndryshimeve të një viti, që përkon me vitin zgjedhor. Krahasuar me vitin 2022, evidentohet një rritje me 332 punonjës më shumë në vitin 2023. 48 nga 61 bashki të marra në analizë, kanë shtuar numrin e punonjësve, ku spikasin bashkia Kamëz me 201 punonjës më shumë, bashkia Tiranë me 127 punonjës më shumë, bashkia Lushnjë me 66 punonjës më shumë. Nga ana tjetër, vërehen bashki që kanë një trend në zbritje të numrit të punonjësve, ku veçohen bashkia Shkodër me 359 punonjës më pak, bashkia Memaliaj me 131 punonjës më pak dhe bashkia Vlorë me 25 punonjës më pak. Të gjitha keto bashki, nëse analizohen kanë specifika politike dalluese nga të tjerat".

Ish-drejtori i Emergjencave Civile tha në një intervistë për Gazeta Si se më shumë se 20% e punonjësve të bashkisë janë punësime fiktive, me njerëz që jetojnë jashtë. Ju rezulton kjo nga ndonjë studim apo kontroll?

"Jo, unë nuk kam një raport të studiuar dhe nuk mund të pohoj apo të mohoj deklaratën e e ish drejtorit të Emergjencave Civile. Megjithatë mund të them diçka tjetër. I besoj kryeministrit, i cili, disa vite më parë ka deklaruar në media se punonjës të sektorit të ujësjellësve jetojnë jashtë dhe paguhen nga taksat e shqiptarëve".

A i shikoni bashkitë efiçente në kryerjen e detyrimeve për t’u dhënë shërbim më të mirë qytetarëve?

"Shikoj progres në tërësi lidhur me trendin e përmirësimit të performancës në shërbime publike. Psh, pastrimi i qendrave të qyteteve është dukshëm mirë. Megjithatë, kam kritika për sistemin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, i cili ështëë akoma i paintegruar. Ekonomia qarkulluese, qasja ricikluese, ripërduruese, ndarja në burim etj, që lidhen me këtë sektor, janë shumë larg standardeve të kërkuar për një mjedis cilësor dhe standarteve apo direktivave të Bashkimit Europian. Edhe pse ka progres në përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së për mjedisin dhe mbetjet, në praktikë është një tjeter realitet. Mjafton të shohim djegiet në landfille dhe lënien jashtë funksionit të incineratorëve të ndërtuar. Gjithashtu, dua të theksoj se, përgjithësisht, bashkitë kanë një performancë joefektive në shërbimet adminstrative dhe burokarcitë lokale. Bashkitë janë projektuar si “porta” e parë, e cila duhet të jetë e hapur për këdo, por, me keqardhje, vë re një sjellje pasive inekzistente nga ana organizative dhe administrative. Në vend të mbajnë statusin si dera e parë ku trokitet dhe zgjidh problemet, bashkitë nuk janë të angazhuara për t’u zgjidhur hallet qytetarëve. Nuk bëhet fjalë që të jenë proaktive  për të parandaluar konfliktet sociale, edhe pse kompetencat i kanë".

Parlamenti është në fund të legjislaturës, por Kuvendi i ri a duhet të ketë në vëmendje një reformë të re territoriale administrative?

"Çështja e reformës territoriale duhet trajtuar gjithmonë si temë dite, përderisa mbetet një çështje ende e pazgjidhur në axhendën politike si të maxhorancës, edhe të opozites, të vilat ndahen për numrin e bashkive që kemi sot. Personalisht, kam disa argumenta përse reforma duhet të rishikohet dhe të korrigjohet.

Së pari, për 10 vjet, nuk u përmbushën premtimet kryesore për reformën e pushtetit lokal.  Përveç treguesve që analizuam, zhvillimi ekonomik lokal dhe qendrueshmëria financiare janë në nivele jo të kënaqshme.

Së dyti, Censi 2023 tregoi një rënie të ndjeshme të popullsisë në 59 bashkitë e vendit. Bashkia Durrës ka qendrueshmëri të moderuar, ndërsa Tirana ka një rritje të popullsisë. Lëvizjet demografike, pra, shpopullimi ka ndodhur kryesisht nga zonat rurale si zona dhe komunitete te disfavorizuara nga shërbimi dhe qeverisja.

Së treti, reforma duhet të bëhet me konsensus, duke hequr dorë nga vendimet e njëanshme si ato të 10 viteve më parë. Konsensusi duhet të përfshijë një reformë të plotë territoriale për të dy nivelet e pushtetit vendor, bashkitë dhe keshillat e qarqeve, që kanë rëndësi në qeverisjen dhe kohezion rajonal dhe social. Si ekspert dhe njohës i reformave publike dhe të pushtetit vendor, rekomandimi dhe kërkesa ime për parlamemtin e ri është që reforma të behet bazuar jo në numrin e bashkive, por në regullimin e sistemit të pushtetit vendor:

-sistemin administrativ

-sistemin financiar

-sistemin zgjedhor për të dy nivelet e pushtetit vendor, bashkitë dhe qarqet

-sistemin territorial

Nëse rregullojmë sistemin dhe e bëjmë atë funksional, do ta kemi të qendrueshem dhe shërbyes për qyteterët. Nëse bëjmë arnime adminsitrative, nuk kemi zgjidhur asgjë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë