Mjedis

Bashkia Tiranë tender për rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik

Kopshti Zoologjik i Tiranës, i vetmi park zoologjik publik në Shqipëri, I lënë prej vite në gjendje të mjerueshme, me kafshë të paushqyera dhe me mjedise të psita, do të rikonstruktohet.

Bashkia e Tiranës ka hapur edhe procedurat e tenderimit për studim projektimin.
Dokumentet përkatëse janë të aksesueshme në faqen on line të Agjensisë së Prokurimeve Publike.

Projekti parashikon rikonceptimin total të hapësirave të parkut zoologjik që është nën varësinë e njësisë Administrative Farkë.
Për këtë investim fondi limit i vënë në dispozicion është 22,484,583 milionë dhe kohëzgjatja e kontratës 6 muaj kalendarikë prej momentit të firmosjes.
Në dokumentin standart të procedurës, Bashkia e Tiranës sqaron se burimi i financimit vihet në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës në mbështetje të VKB Nr. 159, date 21.12.2018, për “Miratimin e Programit buxhetor afatmesëm 2019 – 2021 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2019.

Afati kohor për dorëzimin e kërkesës për shprehje interesi është data: 11.02.2019, Ora: 11:00.

Projekti për hapësirat e kafshëve përfshin habitatet kryesore që duhet të jenë të kufizuara nga njëra-tjetra, të ndara sipas rajoneve të ngjashme gjeografike. Ajo që projektuesit i del detyrë është rrethimi dhe barrierat e nevojshme për sigurinë e vizitorëve dhe stafit menaxhues.

Sheshi i hyrjes, duhet të funksionojë si një ‘kampus i lirë’ dhe pikë grumbullimi për ambientet e shërbimit, duke marrë parasysh mundësinë e krijimit të vendeve të pushimit për të plotësuar nevojat e të gjithë vizitorëve.

Studim-projektimi përfshin në të njëjtën kohë ndërtimin e tualeteve, që do të jenë në pika strategjikë në të gjithë hapësirën e parkut.

Hapësirat për fëmijëve do të jenë një tjetër fokus i rëndësishëm që do të marrë projektuesi në konsideratë me qëllim ndërtimin e një këndi lojërash.
Sipas APP-së, projektuesi duhet të ofrojë një zgjidhje eficiente për parkimin gjithashtu, ku bashkia sugjeron që ai të jetë nëntokësor dhe i pozicionuar në pjesën ballore të kopshtit.

Projekti duhet të përfshijë po ashtu edhe ndërtimin e një godine të re për stafin, si dhe një hapësirë të veçantë izolimi, e cila duhet të jetë në dispozicion për vizitat mjekësore të kafshëve të sapoardhura.

Elementë të tjerë të rëndësishme që duhet të përfshijë projekti janë edhe temperatura, ventilimi, ndriçimi i duhur si dhe elementë të tjerë shtesë sigurie për kafshët si dhe pajisjen me mjetet e nevojshme për transportimin e kafshëve. Projekti parashikon në të njëjtën kohë krijimin e sipërfaqeve të gjelbra me pemë, ndriçim të jashtëm të objektit si dhe vendosjen e stolave dhe të koshave të mbeturinave.

I ndërtuar në vitet 1960-1961, sipas një projekti të hartuar nga specialistë të huaj, Kopshti I vetëm Zoologjik publik në Shqipëri ka një sipërfaqe të përgjithëshme prej 6.09 ha prej të cilave 1,3 ha e zënë basenet ujore. Po ashtu rreth 1 ha zihet nga territoret dhe ndërtesat ku strehohen dhe trajtohen kafshët. Fillimisht është ndërtuar galeria qëndrore, ku gjatë viteve janë ekspozuar kafshë si: rriqebulli, ujku, dhelpra, sorkadhja, shqarthi, qelbësi, ketri, baldosa, kaprolli, gjarpërinj, etj; si dhe shpendët si: shqiponja, pelikani, qyqja, huta, skifteri, bufi, lejleku, thëllënxa, shkurtëza, fazani, korbi, etj.
Më pas në Kopshtin Zoologjik u ndërtuan edhe basenet ujore (liqenet e vogla ku u ekspozuan shpendë si: mjellmat, rosat e egra dhe u kultivuan peshku i kuq dhe krapi).

Rreth viteve 1973, Kopshti Zoologjik u pasurua me pavionin e zogjve, ku rriteshin për ekspozim si dhe tregëtim zogj si: kanarina, pëllumba të butë, gardelina, papagaj, pallonj dhe fazanë.

Që prej nisjes së funksionimit dhe deri në fillim të tranzicionit në vitin 1990, Kopshti Zoologjik dallohej për trajtimin dhe ekspozimin e shumëllojshmërisë së kafshëve dhe shpendëve nga zona të ndryshme, në mirëmbajtjen e gjelbërimit në tërësi dhe të liqeneve, bisedkave, urave dhe çesmave dekorative në veçanti. Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 32 lloje kafshësh dhe 12 lloje shpendësh, ndërsa është investuar shumë pak për pasurimin e tij me kafshë dhe shpendë ekzotikë.

Gjatë viteve 1994-1995 u krye rikonstruksioni i galerisë qëndrore për të cilën u shpenzuan 350.000$. Falë këtij investimi ky pavion u bë më funksional dhe i përshtatshëm për qëndrimin dhe ekspozimin e kafshëve. Gjatë kësaj kohe u sollën nga jashtë kafshë të reja si: luani, tigri, majmuni dhe lamat. Në vitin 1995 filloi ndërtimi i guvës së arinjve që përfundoi në 2007 ku dhe u vendosën tre arinj. Në 1998 u krye rikonstruksioni i pavionit të pallojve tek i cili strehohen lamat.

Pas viteve 1997-1998, për mungesë fondesh, kujdesi dhe vëmendje, filloi degradimi i Kopshtit Zoologjik.

Në faqen zyrtare të Kopshtit Zoologjik thuhet se në Zoo është shtuar ndjeshëm interesi i publikut dhe numri i vizitorëve. Krahasuar me vitin 2016, një vit më pas u arrit dyfishimi i të ardhurave. Viti 2018 gjithashtu ka një rritje prej 15% më shumë se 2017-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë