Nga shkurti i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti janë mbi 20 tendera të organizuar nga Bashkia e Lushnjes me një vlerë totale mbi 166 mln lek, ose rreth 1.4 mln euro, me hije dyshimi se fituesi është paracaktuar.
Tenderat e dhënë janë të larmishëm, të llojeve dhe shumave të ndryshme, që nga ai për blerje buke me vlerë 700 mijë lek, deri te tendera shërbimesh, si ai për sigurinë e objekteve të bashkisë me roje private me vlerë 42 milionë lek.
Open Data Albania i ka markuar këta tendera me “Flamurin e Kuq” (Red Flag), që do të thotë se gjatë këtyre procedurave të prokurimit ka një ekspozim, apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin, qoftë nga operatorët ekonomikë garues, qoftë nga autoriteti prokurues, që në këtë rast është Bashkia e Lushnjes. Open Data thotë se vlerësimi për këto kategori bëhet në mënyrë automatike me filtra analitikë të paracaktuar.
Tenderat e markuar me flamur të kuq zakonisht shfaqin problematikë në fazën e vlerësimit të ofertave dhe skualifikimit të konkurrentëve të tjerë në garë, me përjashtim të fituesit të saj. Si shembull, Bashkia e Lushnjes ka shpallur më 28 prill 2021, tre ditë pas zgjedhjeve parlamentare, fituesin e një tenderi me objekt blerje karburanti për ndërmarrjen e pasurisë publike dhe bordit të kullimit.
Fondi limit është përcaktuar 20 mln lek. Në garë kanë marrë pjesë dy kompani, ku njëra prej tyre është tërhequr, duke ngritur dyshime se u regjistrua në këtë tender vetëm për të legjitimuar garën. Ky tender është firmosur nga drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike, Flamur Peqini, i arrestuar nga SPAK me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike” kryer po në bashkëpunim.
Nga tenderat e markuar me “Flamur të kuq” të Bashkisë së Lushnjes në këtë periudhë kohore, katër prej tyre janë prokuruar nga Ndërmarrja e Pasurive Publike, ndërsa pjesë tjetër kryesisht nga ujësjellës-kanalizimet dhe Drejtoria Arsimore e kësaj bashkie.
Në këto tendera, kompania “Loti” Sh.P.K., administratori i së cilës është arrestuar nga SPAK me akuzën e falsifikimit të dokumentave del në njërin prej tyre, atë të hapur më 24 shkurt 2021 nga Bashkia e Lushnjes me objekt “Marrje kamionin me qira për transport dherash”. Në këtë tender, kjo kompani është skualifikuar nga gara arsyetimin se nuk përmbushte kriteret e veçanta për kapacitetin ekonomik e financiar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.