Ngjarje

Bashkia kthen Klubin Tirana në qendër sportive, PD: Duan të shndërrojnë ‘Selman Stërmasin’ në kullë betoni

Nga Gazeta Si- Bashkia e Tiranës ka vendosur që të kthejë Klubin sportiv dhe shumësportëshin Tirana në një qendër sportive OJF.

Sipas kryetarit Erion Veliaj, Tirana u bë temë e ditës sepse tre mundësit që garuan në Paris, dy prej të cilëve sollën medalje olimpike për herë të parë, jo vetëm për Klubin e Tiranës, por edhe për Shqipërinë.

“Kjo solli më shumë vëmendje te Klubi i Tiranës. Shumë prej klubeve kanë bërë kalimin në shoqatë, si mundësi për të marrë financime nga kompani private dhe sponsorë komercialë, prandaj po bëjmë të njëjtën gjë me Klubin e Tiranës”, tha Veliaj.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se të gjitha asetet dhe pasuritë e përdorura nga Klubi Sportiv “Tirana” do të transferohen te qendra e re.

Në projektvendim shkruhet se godina ekzistuese e futbollit “Selman Stërmasi” do kthehet në qendër multifunksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonomi.

“Kjo do të arrihet përmes shtimit të aktiviteteve të biznesit në zonën e zhvilluar. Hapësirat e reja, së bashku me infrastrukturën e përmirësuar dhe eco-friendly, do të krijojnë një mjedis më tërheqës për të gjithë. Gjithashtu, me rritjen e pritshme në numrin e bizneseve të reja që do të zhvillohen, do të shtohen sipërmarrjet dhe zhvillimi i koncepteve të reja ekonomike. Kjo do të sigurojë hapësira dinamike dhe tërheqëse për rezidentët aktuale dhe vizitorët që pritet të vijnë në zonë”.

Për këtë lajm ka reaguar anëtarja e këshillit bashkiak Alba Kepi e cila e cilëson këtë si një akt kriminal dhe një veprim që merret për të kthyer Selman Stërmasin në një kullë.

“Bashkia e Tiranës e Kryetari i saj Erjon Veliaj po kryejnë krimin e radhës në qytet. Klubi Sportiv e shumësportëshi Tirana do kthehen në një Qendër Sportive Ojq e korporatë biznesi drejtuar nga një Bord Drejtorësh. Është një tjetër akt kriminal ndaj qytetit për ta shndërruar dhe sportin e skuadrën autoktone në një biznes e aferë kompanie me borde drejtorësh si 3D, 4D, 5D, 6D, Djegësat e me radhë”, shkruan Kepi, duke shtuar se gjithçka kryhet në kundërshtim katërcipërisht me ligjin e sportit i cili përcakton se asnjë klub sportiv nuk mund të drejtohet nga një bord drejtorësh por nga një Asamble ekzekutive anëtarësh.

Sipas Kepit, gjithçka është bërë pa informuar Klubin e Futbollit i cili është ortak bashkë me Bashkinë e që “stadiumin po ia shndërrojnë në korporatë kulle betoni. Klubi i Tiranës i duhet për riciklimin e parave të pista, për stadiumin Selman Stermasi, që duan ta bëjnë kullë e për të fundosur historinë bardhë e blu”, përfundon Kepi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë