Në Shqipëri, njihen pak sëmundjet me natyrë autoimune, por ndër sëmundjet më të shpeshta që po prekin popullatën është ajo e Hashimotos, apo i quajtur ndryshe inflamacioni i gjendjes tiroide.
Mjekët specialistë endokrinologë, thonë se sëmundjet autoimune janë të përhapura në mbarë botën dhe njihen mbi 80 lloje të tilla të cilat janë të pashërueshme dhe të trashëgueshme, ku 75% e rasteve të diagnostikuara janë femra.
Në bazë të tyre qëndron lufta e brendshme midis sistemit imunitar të një organizmi dhe qelizave të shëndetshme të këtij organizmi, me rezultat final shkatërrimin e plotë të këtyre të fundit. Ndodh që një person të ketë dy ose më shumë sëmundje autoimune në të njëjtën kohë, ose të shfaqen në periudha të mëvonshme.

Sipas mjekes patologe në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, Mirela Dhamo, shkaku i këtij fenomeni është inflamacioni në nivelin e indeve përkatëse, në rastin e Hashimotos ai ndodh në gjëndrën tiroide.
Por si mund ta mbajmë në kontroll Hashimoton dhe të mësojmë të bashkëjetojmë me të?
Mjekja Dhamo thotë se hapi i parë është ndryshimi rrënjësor i mënyrës së ushqyerjes.
“Evitimi i ushqimeve inflamatore, që mund ta përkeqësojnë problemin autoimun, të tilla si domatja, speci, patëllxhani, veza, arrat dhe farat, qumështi, drithërat, soja dhe gluteni, janë disa prej ushqimeve që duhet të mos konsumohen”, thotë mjekja Dhamo.
Nga ana tjetër, mjekja thekson se duhet konsum i mishit dhe peshkut cilësor, perimeve me gjethe jeshile të gatuara me vaj kokosi, frutave (kryesisht frutave të pyllit) dhe i lëngut të kockave në çdo vakt (për mineralet dhe gluteninën që përmbajnë).

Por përse ndodh Tiroiditi Hashimoto?
Është ende e panjohur ekzaktësisht se përse fillon tiroiditi Hashimoto, por ndërkohë ekzistojnë një sërë faktorësh që mendohet se ruajnë rolë në shfaqjen e kësaj sëmundje, ku si të tillë mund të përmendim:
Faktori genetik:
Mendohet të ketë një predispozitë gjenetike të shfaqjes së sëmundjes. Personat që preken nga tiroidit kronik Hashimoto, zakonisht kanë pjesëtarë të ngushtë të familjes që vuajnë nga Hashimoto apo sëmundje të tjera autoimmune.
Faktori Hormonal:
Mendohet se hormonet seksuale luajnë një rol në shfaqjen e tiroiditit Hashimoto, të cilat duket se kanë influencë në faktin që Tiroiditi Hashimoto, haset rreth 7 (shtatë) herë më shpesh gratë sesa tek meshkujt. Për më tepër disa femra shfaqin probleme me tiroiden gjatë vitit të parë pas lindjes. Tiroiditet pas lindjes (post partum) mund të zhduken me kalimin e kohës, por rreth 20% të këtyre grave mund të zhvillojnë tiroidin Hashimoto vite më vonë.
Marrja e tepërt e jodit:
Në individë të caktuar marrja e tepërt e jodit mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve të tiroides.
Ekspozimi ndaj rrezatimit:
Rrezatimi qoftë ai i përdorur për trajtimin e sëmundjeve të caktuara ose dhe të aksidenteve të ndodhura, si pwr shembull shpërthimin nuklear të Ҫernobilit, shtojnë riskun për të shfaqur sëmundje të tiroides tek personat që janë ekspozuar në rrezatim.
Cilat janë simptomat e kësaj sëmundje?
Simptomat e Hashimotos mund të variojnë nga të lehta, në fillimet e sëmundjes ose mund t’i duhen edhe vite për t’u shfaqur. Zakonisht shenja (simptoma) e parë e kësaj sëmundje është një ënjtje ose zmadhim në pjesën e përparme të qafës që njihet si strumë, por mund të ketë edhe raste kur nuk ka ndryshime të përmasave të tiroides. Në raste të caktuara, kur përmasat e tiroides janë të mëdha mund të shoqërohet edhe me vështirësi në gëlltitje. Simptoma të tjera shoqëruese të tiroidit Hashimoto janë shtimi në peshë, lodhja, zbehja ose fryrja në fytyrë, dhimbja e muskujve, kapsllëku, ndjesi të ftohti (paaftësi për t’u ngrohur), depresioni, etj.
Duke qenë se simptomat e Hashimotos mund të jenë të ngjashme me sëmundje të tjera, është e këshillueshme që në çdo rast të konsultoheni me mjekët specialistë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje