Politike

Drejt një liste të vetme kandidatësh / PD nis konsultimet me aleatët, Flamur Noka takon Ilir Metën. Kreu i PL kandidat në Tiranë në vend të sigurtë

Partia Demokratike ka nisur takimet me aleatin e saj kryesor Partinë e Lirisë. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka dhe Presidenti i PL-së Ilir Meta zhvilluan një takim konsultues mbi mënyrën se si do të dalin në zgjedhje.

Që do të thotë nëse kandidatët e PL-së do të dalin në një listë me PD-në apo të ndarë. Nga burimet paraprake mësohet se PD dhe PL do te garojne me një listë kandidatësh. Vetë Ilir Meta pak kohë më parë deklaroi se do të garoje për qarkun e Tiranës. Bazuar në diskutimet paraprake, Meta pritet të jetë në listën e mbyllur të kandidatëve në një vend të sigurt.  Vete Meta i la të hapura të gjitha opsionet permes nje konference per shtyp.

Meta theksoi se Partia e Lirisë do të preferonte të dilte në zgjedhjet e 2025 me flamurin dhe logon e saj, por se kjo është një çështje që nuk e vë në diskutim luajalitetin e PL ndaj aksionit të opozitës.

“PL në çdo rast do donte fitoren e opozitës. Në radhë të dytë vendosjen e fitores së opozitës si objektiv të përbashkët të gjithë forcave opozitare dhe do të preferonte që të dilte me logon dhe flamurin e saj, por kjo është një çështje që nuk e vë në diskutuam luajalitetin e PL ndaj aksionit opozitar”, tha Meta.

Ky është takimi i parë mes aleatësh që zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ditët në vijim, PD-ja pritet të zhvillojë takime me aleatët e tjerë përjashto Dashamir Shehin e cili e ka deklaruar publikisht se do të dalë si grupim politik më vete.

Interesante mbeten negociatat me PDIU-ne që deri më tash ka mbajtur një qëndrim asnjanës politik apo edhe me partinë e Agron Dukës i cili për herë të parë në një dalje publike nuk përjashtoi mundësinë se mund të kalojë edhe në llogoren tjetër politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë