Politike

Basha kërkoi të hetohej nga SPAK, Berisha i përgjigjet: Je ‘non grata’ i pashpallur në SHBA

Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk u bënë bashkë në sallën e seancave plenare të Kuvendit këtë të enjte, por për njëri-tjetrin folën që të dy në hyrje të sallës. I pari ishte Basha, që akuzoi Berishën se po mban peng aksionin opozitar dhe Partinë Demokratike.

“Televizionet janë të mbushur me debate hidh e prit me Edi Ramën, Sali Berishën e Ilir Metën. Askush nuk flet për hallet e njerëzve. Gjatë kësaj kohe që çmimet janë rritur, të ardhurat e qeverisë janë rritur sepse TVSH është në varësi të çmimeve. Për t'i dhënë fund këtij tranzicioni duhet një ndryshim i thellë, duhen ndryshime kushtetuese”, deklaroi Basha për gazetarët para hyrjes në seancën e Kuvendit.

Rreth 60 minuta më vonë përgjigja i erdhi nga Berisha, po nga oborri i Kuvendit. Edhe Berisha foli për ‘peng’ e ‘pengmarrje’, por të Lulzim Bashës nga ana e Edi Ramës.

“Ju duhet të pyesni pse Rama të mbylli dosjen e rusëve? Për të mos thënë pastaj për dosjen përvëluese të Toyota Yaris. Pyeteni pak. Nëse ka një njeri që për afera konkrete duhet të pyetet pas Edi Ramës dhe ministrave të tij është pikërisht Lulzim Basha. Rama deklaroi se Bashës i ka mbyllur dosjen ruse. Ajo që unë në atë kohë e mohoja që ka qenë ruse ka qenë ruse është shumë thjesht e investigueshme dhe e hetueshme”, deklaroi ai.

Lulzim Basha kujtoi se Berisha është i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së dhe kërkoi që SPAK të hetojë Sali Berishën mbi bazën e akuzave të ngritura në dosjen amerikane që e kanë shpallur atë ‘non grata’.

“Nëse ka një akuzë kaq të rëndë nga DASH, detyra e drejtësisë do të ishte që të kishte vepruar prej kohësh dhe të kishte nisur hetimet”, deklaroi Basha.

Berisha, nuk e përjashtoi Bashën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por iu kundërpërgjigj me dy dosje, që sipas tij, është i përfshirë Lulzim Basha; akuzat për lobim me para ruse në Uashington, që sipas Berishës po heton FBI dhe akuza për dosjen “Toyota Yaris”, që po heton drejtësia belge. Berisha shkoi edhe më tej, duke thënë madje se edhe vetë Basha është ‘non grata’ në SHBA, por ende i pashpallur.

“Basha është anëtar i grupit parlamentar, ka procesin me FBI me drejtësinë belge… në mos edhe ndonjë drejtësi tjetër pastaj, por afera është ndërkombëtare. “Personi i vetëm që është në përballje me drejtësinë ndërkombëtare e shqiptare është Lulzim Basha prandaj pyeteni se për ç’arsye u ktheve nga Roma në Tiranë dhe nuk shkove dot në SHBA që të bëjë transparencë. E ka të hapur dosjen nga FBI. U nis me Gjekmarkaj në Uashington”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë