Kryedemokrati Basha ka zhvilluar një takim mëngjesin e sotëm me Presidentin e Republikës, Ilir Meta në ambientet e Presidencës.
Takimi ka zgjatur rreth 40 minuta dhe gazeta SI mësoi se në fokus të bisedës është situata politike në vend.
Pas këtij takimi, Basha pritet të zhvillojë një mbledhje me aleatët e opozitës ne selinë e Partisë Demokratike.
Opozita nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa kryebashkiakët e djathtë kanë vendosur të mos lirojnë bashkitë. Ndërkohë, presidenti Meta ka dekretuar 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh, ku sipas tij do të mbahen dy palë zgjedhje, presidenciale dhe vendore.
Basha, takim me aleatët
Pas takimit në Presidencë me kreun e shtetit, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët për të vendosur mbi aksionin politik të opozitës së bashkuar, ku sfida e radhës është ajo e veprimit me bashkitë e djathta, nëse do të pranojnë t’ia dorëzojnë kryebashkiakëve socialistë ose jo.
Ndërsa duket se Basha po pranon idenë e mbajtjes së zgjedhjeve më 13 tetor, duke pranuar se kjo ka qenë edhe arsye e bisedimeve në Presidencë me kreun e shtetit.
“Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe sic është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve presidenciale që nënkupton ndryshimet kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë që PD dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për njerëzit. Që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë, dhe aq më pak për Ymer Lalët dhe shokun e tyre, bablokun e madh dhe oligarkët. Në këtë funksion opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për ti garantuar shqiptarëve të drejtën e votës që është dhunuar dhe tjetërsuar përtej çdo përfytyrimi”, deklaroi Basha.
Sipas tij, edhe në 30 qershor Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe për të garantuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një qeveri që buron nga njerëzit dhe që i shërben njerëzve.
Por sa i përket aksionit politik, Basha la të nënkuptonte se opozita e bashkuar do të kontaktojë edhe me ndërkombëtarët në funksion të zgjidhjes së krizës politike.
“Sot në takimin me opozitën kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet në raport me njerëzit, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe do t’i ofrojmë qytetarëve. Kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi. Sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë ti vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe grabisë qytetarin e thjeshtë, pasuritë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë në të paktën dy dekada. Ndaj bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjedhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila tashmë jo vetëm përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit është konfirmuar si mazhoranca e re politike”, theksoi Basha. Ndërsa iu shmang pyetjes nëse do të bllokojnë bashkitë që kanë pasur në administrimin duke mos lejuar që të majtën të marrin edhe pushtetin vendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




