Politike

Basha takon Dhomën Amerikane të Tregtisë: Duhet përmirësuar klima e biznesit

Kreu i opozitës Lulëzim Basha ka takuar sot (të enjten) përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë ku në qendër të bisedimeve ka qenë Ekonomia dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Në takim me  Enio Jaco President i Bordit, Alex MacFarlane Atasheu i Seksionit për Çështjet Politike & Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së, Reshard Këlliçi Sekretar i Bordit dhe Eni Xheko Anëtare e Bordit Basha është shprehur se “Lufta kundër monopoleve dhe trajtimit të pandershëm të investitorëve në Shqipëri, lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, sundimi i ligjit dhe siguria juridike, janë disa nga sfidat jetike para të cilave ndodhet vendi dhe ekonomia. Domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit, dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat lidhen direkt me punësimin”.

Në takim, shkruan kreu i demokratëve në llogarinë e tij në fcbook, diskutuam edhe mbi pasojat e Covid-19 në ekonominë shqiptare.

Aksesi në likuiditet, lehtësimi i barrës fiskale për bizneset dhe mbështetja ndaj tyre për të ruajtur vendet e punës, citon Basha,  janë ndër kërkesat e kahershme të AmCham dhe çështje prioritare të platformës tonë. Partia Demokratike mbështet propozimet e bëra publike të Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham drejtuar qeverisë shqiptare, duke i konsideruar ato të drejta dhe të duhura për t’i dhënë përgjigje sfidës së përballimit të pandemisë ekonomike dhe rivitalizimin e ekonomisë në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë