Një takim jashtë vëmendjes së medias është zhvilluar në Presidencë, mes presidentit Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Sipas burimeve, takimi është zhvilluar të martën pasdite në Presidencë, pa ndonjë zhurmë mediatike.
Gazeta “Si” u interesua në lidhje me këtë takim, por burime nga Presidenca nuk e pohuan, por as e nuk e rrëzuan një ballafaqim të tillë mes Presidentit dhe liderit të PD-së.
Kriza politike, qëndrimet e opozitës pas dorëzimit të mandateve mësohet se kanë qenë në fokusin e diskutimeve mes Metës dhe Bashës.
Një takim i tillë vjen pas deklaratës së fortë të lëshuar nga ana e presidentit Meta, i cili tha pak ditë më parë se ishte i gatshëm të dorëzonte detyrën e tij në funksion të zgjidhjes së krizës politike, duke e krahasuar veten me Salvador Alenden.
“Për këtë qëllim, unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta. Në këtë drejtim, edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”, deklaroi Meta nga Pogradeci.
Ky qëndrim ekstrem i Presidentit pati edhe një reagim nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi Metës që të mos bëjë deklarata të tilla, pasi nuk ka ndërmend njeri të ushtrojë juntë ushtarake, duke e hequr atë nga karrigia e numrit një të shtetit shqiptar.

“Ilir Meta ndjehet kaq i papërfaqësuar sa i duket se një juntë ushtarake do të sulmojë pallatin Presidencial. Zoti President, rri i qetë, jemi e do të mbetemi vend i NATO, nëse s’më beson mua, ti i beson Pandit. Të garantoj se sa të kemi Pandin, ky vend nuk del nga NATO e në fund të ditës, fundi politik i Lulit dhe Monikës nuk duhet të jetë problemi im, i yti dhe i yni, dhe kërcënimit demokratik të tyre. Zoti Presidenti ne si vend i NATO-s do t’i përgjigjemi si ushtarë në mbrojtje të demokracisë. Tërhiqe e mos i shko më në mend ato çudira, se na hutove”, deklaroi Rama në fjalimin e mbajtur gjatë shpalljes së kandidaturës së Erjon Veliajt për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Edhe më herët kreu i shtetit pati deklaruar se mazhoranca duhet të bëjë një hap para dhe opozita të bëjë dy hapa pas për çështjen e zgjidhjes së krizës.
Por vetë kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë tejet e rezervuar në komentimin e deklaratave mbi situatën politike të Presidentit, i cili nuk ka ngurruar të fajësojë opozitën dhe të cilësojë si të dëmshëm aktin për dorëzimin e mandateve të deputetëve.

“Nuk kam ndërmend të komentoj asnjë deklaratë të Presidentit Meta, por mund t’ju them se në përpalljen me krimin e organizuar dhe një qeveri të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet dhe paratë e shqiptarëve nuk ka për të pasur asnjë hap pas, por vetëm hapa përpara. Sepse vetëm hapat përpara dhe largimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe një qeveri e palidhur me krimin e organizuar do t’u japë shqiptarëve atë që meritojnë, Parlament dhe qeveri, prodhim i votës së tyre, jo i Niçeve, Avdylajve, Bajrajve, Shullazëve”, do të deklaronte Basha.
Ndërkombëtarët prej kohësh po apelojnë nisjen e dialogut politik për zgjidhjen e krizës. Në kushtet kur nuk ka ndonjë ndërmjetësim nga jashtë, por vetëm deklarata për uljen në një tryezë, Presidenti Meta mund të shihet si personi që mund të ulë në një tryezë palët politike për zgjidhjen e krizës.
Ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete nëse Meta po i ndërmerr këto takime në kuadër të ndonjë nisme për t’u bërë ai negociatori, por kjo nuk mund të përjashtohet si përpjekje e Presidentit për çtensionimin e situatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





