Lulzim Basha akuzon Komisionin Europian se po tregohet i butë dhe po përkëdhel qeverinë e Edi Ramës për hir të stabilitetit në vend dhe rajon.
“Brukseli ka zgjedhur që të përqendrohet tek procesi teknik i harmonizimit të kuadrit ligjor për hir të stabilitetit dhe në kurriz të demokracisë. Ky tolerim i Bashkimit Europian është keqpërdorur nga udhëheqësit autokratikë në Ballkan, të cilët tani po rrezikojnë stabilitetin për shkak të korrupsionit, lidhjeve me krimin e organizuar dhe kapjes së shtetit”, thotë Basha.
Në një intervistë telefonike të dhënë për EurActiv, kreu i Partisë Demokratike ndan një qëndrim krejt të kundërt me atë të Kryeministrit Edi Rama dhe të vetë Komisionit Europian sa i takon reformës në drejtësi. Ai thotë se kjo reformë nuk ka ndryshuar asgjë dhe kultura e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë dhe bosëve të krimit të organizuar është përforcuar.
“Prej kohësh ka dy standarde të drejtësisë, një për qytetarët e thjeshtë dhe një për njerëzit e pushtetshëm. Jemi i vetmi vend në botë ku Gjykata Kushtetuese mungon prej një viti. Shqipëria është sot në një situatë ku drejtësia mungon”, deklaron Basha.
EurActiv kujton se qeveria “Rama” ka marrë lëvdatat e Komisionit dhe Parlamentit Europian për reformën në drejtësi dhe që të dy këto institucione i kanë bërë thirrje Këshillit Europian që të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
EurActiv, e specializuar në trajtimin e çështjeve europiane, partizane e zgjerimit dhe ndjekëse e vëmendshme e ngjarjeve në rajonin tonë kujton gjithashtu se prej ditësh opozita shqiptare ka djegur mandatet dhe ka dalë në rrugë, një veprim i kritikuar nga udhëheqësit e Bashkimit Europian.
Basha i ka qëndruar aksionit opozitar, megjithëse nuk ka gjetur një mbështetje të qenësishme ndërkombëtare. Ai nënkupton në intervistën e dhënë për EurActiv se Komisioni Europian po shpërfill realitetin në terren.
“Ka një mospërputhje të madhe mes asaj që po ndodh në Shqipëri me ato që shkruhen në raportet europiane dhe të agjencive të tjera ndërkombëtare”, deklaron kreu i PD-së.
Gjithsesi, edhe mes ndërkombëtarëve Basha sheh disa ndasi sa u takon qëndrimeve karshi Shqipërisë. Ai kujtoi raportet e Transparency International dhe të Departamentit të Shtetit, që sipas tij, theksojnë problemet e thella me krimin, drogën dhe kapjen e shtetit. Përballë këtyre, Basha akuzon Brukselin se ka mbyllur njërin sy.
“Pra, demokracia është sakrifikuar për të hir të stabilitetit dhe tani na mungojnë që të dyja (stabiliteti dhe demokracia). Ky duhet të jetë një mësim për të ardhmen. Mungesa e demokracisë dhe e sundimit të ligjit na drejton në paqëndrueshmëri”, shprehet Basha.
Basha shprehet pesimist mbi hapjen e negociatave në qershor dhe për këtë thotë se mungon progresi. Kryetari i PD-së lexon mes rreshtave të raportit të fundit të progresit një mesazh të fshehur për hir të stabilitetit. “Progres-raporti i fundit vë theksin tek korrupsioni dhe kapja e shtetit, por i dhënë në një tjetër mënyrë nga Brukseli”, thotë Basha.
Në të njëjtën intervistë, kryetari i Partisë Demokratike kundërshton shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbië mbi vijat etnike, ndërsa komenton situatën brenda të djathtëve europianë të PPE-së, ku po diskutohet përjashtimi i Viktor Orbanit.
Ironikisht, dialogun, atë që palët nuk po e gjejnë dot në Tiranë, Basha e kërkon në PPE. “Synimi është që të sigurohet harmoni brenda familjes së qendrës së djathtë të Bashkimit Europian përmes dialogut”, deklaroi kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




