Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti një konferencë për shtyp në lidhje me situatën e krijuara para zgjedhjeve të 30 qershorit. Basha denoncoi vendimin qeverisë, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.
“Edi Rama ka shkarkuar sot Zef Hilën kryebashkiakun e Vaut të Dejës. Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve. Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës. Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkakrimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës. Shkarkimi është një akti kriminal i një autokrati të kriminalizuar që tani po përdor forcën e pushtetit vetëm për të mbrojtur bashkësundimin e tij me krimin”, deklaroi kryedemokrati nga selia e PD-së.
Për Bashën, ngjarje e ndodhur në Vaun e Dejës është një skenar i Ramës, në bashkëpunim me deputetin e qarkut të Shkodrës, Tom Doshin. “Ajo që ndodhi në Vaun e Dejës, skenar i Ramës dhe i Doshit. Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Zef Hila është një burrë i matur, kurajoz dhe me dinjitet. Ai nuk përzihet në planet tinzare dhe burracake të Edi Ramës kundër njerëzve të pafajshëm. Sepse ajo që ndodhi në Vaun e Dejës ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin. Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Dhe si përherë këto plane kriminale i bën dhe zbaton me të fortë dhe kriminelë. Ne nuk do ta lejojmë këtë plan antishqiptar, që mund të ndezë përplasje të madhe kudo”, theksoi Basha.
Ai i bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë që të ruajnë qetësinë dhe sipas tij, të mos bëhen pjesë e këtyre skenarëve. “Rama po reagon si bishe e plagosur ne fundin e tij. Mos u provokoni nga skenaret kriminale te Ramës. Ndaj ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë qytetarëve, mos bini pre e provokimeve dhe e skenarëve kriminalë të Edi Ramës dhe shpurës së banditëve të tij. Ne jemi të fortë. Ne jemi shumicë. Ne e dimë cila është rruga përpara dhe nuk ka asgjë që na kthen mbrapsht. Ne do jemi të gjithë shumë mirë. Shqipëria do të bëhet shpejt shumë mirë. Rama dhe mercenarët e tij do të jenë shumë keq së shpejti. Ata e dinë fundin e tyre, prandaj reagojnë si egërsirat e plagosura për vdekje”, mbylli kryedemokrati qëndrimin e tij. (Me poshtë VIDEO)
Rama, Bashës: Artist, është koha që të marrësh përgjegjësi për ngjarjen
Pasi lideri demokrat, Lulzim Basha, e cilësoi shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës si të pabazuar në ligj dhe hakmarrje politike vjen edhe reagimi i kreut të qeverisë.
Në një postim në “Twitter”, Rama i drejtohet Bashës si ‘artist’ dhe shkruan se Zef Hila, kreu i Bashkisë Vau i Dejës ia faturoi Bashës djegien e shkollës në Bushat.
Më tej, Rama i drejtohet Bashës që është koha të marrë përgjegjësi për ngjarjen.
“Artist, dil jepi xhevap Zef Hilës që tha shkollën e dogje ti me atë fotokopjen e shëmtuar të enveristëve më kokëboshë të 91shit, Aleanca e Demokratëve a si e quan ti! Dil Artist, se është koha të marrësh përgjegjësi për dyfytyrësinë e javës së fundit, hidh gurin e fshih dorën”, shkruan kryeministri në “Twitter”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




