Në një orë konferencë shtypi me ekspertët e ekonomisë, Jorida Tabaku dhe Dorian Teliti, kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se, programi ekonomik i PD-së ka në plan të parë qytetarin.
“Plani ekonomik ka në tërësi të tij qytetarin, të lehtësojë jetën, vende pune dhe taksa të ulëta, që qytetarët të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre. Prej muajsh ky plan është detajuar, sikundër reformat dhe hapat që do të ndërmerren ditë pas dite në 100 ditëshin e parë që të bëhet e mundur që në krye të katër viteve të dalim me një plan pune të realizuar dhe jo me premtime boshe që janë epitafi i qeverisjes së dështuar, të qytetarit të dështuar nga ky plan.
Me këtë plan fitojnë shqiptarët, rinia, pensionistët, shtresa e mesme, profesionistët dhe mësuesit e pedagogët, e personeli mjekësor, fiton Shqipëria.
Vetëm njëri nuk fiton, me këtë plan humb Edi Rama. Ky është shkaku që do të vazhdojë të humbasë orë të tëra të programacionit tuaj me sulme të lodhura ndaj meje…”, tha Basha.
“Po ja them sot dhe ta kuptojë nervozizmin; koha jote ka mbaruar. Në 25 prill Edi Rama do të humb dhe Shqipëria do të fitojë!”.
Basha nënvizoi gjatë fjalës së tij por edhe gjatë pyetje përgjigjeve me gazetaret, se Rama nuk mbajti asnjë premtim këto 8 vite.
“Më thoni një premtim që është mbajtur në këto 8 vite. Se kam retorikë, më thoni një prej jush një premtim. Kur s’ka asnjë bilanc ça pret ti të bëjë?! Të shajë e të denigrojë. Ai planin tonë të punës e sulmon e më pas e kopjon. Është kopjac i keq, se nuk e kupton ndaj. Sulmet ndaj meje kanë ardhur pas prezantimit të planin tonë ekonomi. Pasi është plan konkret pune dhe i jep zgjidhje problemeve të shkaktuara nga Edi Rama. Çfarë pritet që ai të thotë? Bilanci zero. S’ka program, do më sulmojë mua, ekipin tim dhe planin e punës dhe do të bëjë diversion. Ai është i mbaruar. Në 25 prill është i paketuar, në 25 prill Shqipëria fiton”, tha Basha
Basha, ashtu edhe ekspertët e PD-së, u fokusuan tek vendosja e taksës së sheshtë 9%.
Sipas Bashës, taksa progresive ka pasuruar oligarkët dhe ka varfëruar shqiptarët.
“Taksa progresive ka shkatërruar klimën e biznesit, taksa e sheshtë 9% do të sjellë zhvillim… Taksa e sheshtë 9% do të ulë informalitetin. Taksa e sheshtë 9%, drejtësi për shtresën e mesme”, tha ai
Ndërsa Dorian Teliti specifikoi se do të vendoset taksa 9% e sheshtë për pagat duke ruajtur fashën e pataksuar 30 mijë lekë. Sipas tij, totali i taksave lokale e qendrore mbi biznesin e vogël, do të jetë jo më shumë se 0.5% tatim mbi xhiron.
Ndërsa Jorida Tabaku shtoi se, vetëm nga taksa e sheshtë në buxhet PD llogarit se do të arkëtohen rreth 450 milion euro më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.