Pasi ka bërë një takim me kryesinë e Shoqatës Kombëtare të Biznesit të Vogël, kreu i demokratëve Lulëzim Basha ka dalë në konkluzionin se qeveria jo vetëm nuk po e ndihmon biznesin e vogël, por po e zhyt me faturat aforfe si ato të energjisë elektrike të pakonsumuar pasi ka 6 javë që i mbyllur.
Gjithë vëmendja e qeverisë është tek oligarkët, thotë Basha, nuk është tek njerëzit, nuk është tek biznesi, në veçanti tek biznesi i vogël.
“Por biznesi i vogël përbën motorin e ekonomisë shqiptare, përbën bazën e ekonomisë shqiptare dhe përfshin numrin më të madh të të vetëpunësuarve në këtë sektor. Paratë që ka paguar gjatë viteve, taksat që ka paguar gjatë viteve sot ka nevojë më shumë se kurrë t’i marrë mbrapsht ose si lehtësi fiskale, ose si subvencionim, si mbështetje financiare. Dhe po kështu ka nevojë për një paketë të qartë masash që do të ndihmojnë në hapjen graduale, sipas protokollit të sigurisë, por jo hapje thjesht për të mos paguar biznesin. Sepse në qoftë se biznesi hapet, por konsumatori nuk lejohet të shkojë tek biznesi kuptohet qartë se situata është kaotike, është e pashpresë dhe do të vazhdojë të rëndohet”, shprehet Basha.
Sipas tij, kjo kategori biznesi po vuan masa të tjera arbitrare të ndërmarra kuturu; “siç është përshumbull fatura aforfe e energjisë, e cila shkon me vlerën e marsit 2019 tek biznese që kanë 6 javë që kanë mbyllur qepenat. Pra, në vend që të ndihmohet siç po e ndihmon çdo vend tjetër i rajonit, të mos flasim për Europën, siç po e ndihmon Kosova, siç po e ndihmon Maqedonia e Veriut, biznesi i vogël po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme që janë të shkaktuar nga mungesa totale e mbështetjes nga kjo qeveri.”
Basha është shprehur se mbështet kërkesat e biznesit të vogël.
Sipas tij e gjithë vëmendja dhe energjia duhet të jetë tek pandemia ekonomike, që po i zë vendin pandemisë COVID 19.
“Është pandemia ekonomia 2020, që ka një autor dhe një shkaktar – këtë qeveri dhe këtë kryeministër, që e kanë braktisur biznesin në ditën e vet më të vështirë. Taksat ua kanë marrë për vite me radhë, taksat ua kanë rritur, faturat ua kanë rritur për vite me radhë. Tani që kanë nevojë për paratë e tyre, nuk po kërkojnë lëmoshë, asnjë nga ato dhjetëra mijëra biznese që nuk kanë parë asnjë qindarkë, megjithëse u është premtuar mbështetje, nuk kërkon lëmoshë, kërkon që të mbështetet nga taksat, sepse qeveria prandaj ekziston. Taksat që merr nga qytetarët, t’i përdorë për qytetarët.”- thotë Basha duke shtuar se “sot taksat përfundojnë tek një grusht njerëzish, tek nje grusht oligarkësh me të cilët, kjo qeveri vazhdon të ndajë favore, tendera korruptivë dhe pasuritë e vendit.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




