Politike

Basha pranon përgjegjësinë për humbjen, por nuk jep dorëheqjen

Edhe pse se ka kundër pothuajse të gjithë grupin e tij parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka refuzuar të japë dorëheqjen.

“Përgjegjësia bie te të gjithë, por fillon me mua”.

Kështu ka deklaruar Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe kandidatët në zgjedhjet e pjesshme vendore, pas humbjes së thellë.

Ai u bëri apel demokratëve që të qëndrojnë dhe të tejkalojnë kultin e individit, për një parti më të fortë.

“Secili duhet të mbajë përgjegjësi. Ne kemi në dorë të qëndrojmë, të bëjmë betejë, të bëjmë ndryshime, të tejkalojmë kultin e individit, për një parti më të fortë”, është shprehur ndër të tjera Basha në mbledhje.

Ndryshe nga mbledhja e mbrëmshme ku shumica e deputetëve i kanë kërkuar Bashës të japë dorëheqjen dhe të hapë mundësinë për zgjedhje në parti, në mbledhjen e sotme Basha ka pasur një diskutim më të qetë.

Ka pasur kryetarë degësh që kanë kërkuar që Basha nuk duhet të largohet, pasi sipas tyre në zgjedhjet e 6 marsit pati shitblerje votash.

Por në këtë mbledhje nuk i janë përgjigjur të gjithë krerët e degëve thirrjes së Bashës për të marrë pjesë, si duket në shenjë revolte për rezultatin e dobët në 6 mars. Mësohet se nga 72 kryetarë degësh, kanë marrë pjesë 43 gjithsej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë