Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ishte sot në Vaun e Dejës në kuadër të turit për të sensibilizuar qytetarët për të marrë sa më shumë pjesë në protestën e 11 majit përpara Kryeministrisë. Në fjalën e tij përpara demokratëve të këtij qyteti, Basha u shpreh se nuk ka njeri që nuk e pranon se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Nuk ka njeri që nuk e pranon se ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, qofshin këta miq tanë ndërkombëtarë, qofshin këta miq tanë politikë. Shqipëria do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Data është e rëndësishme, por ka diçka tjetër shumë të më të rëndësishme sesa data, kushtet për zgjedhje të parakohshme. Nuk do të lejojmë më një 2017 të dytë. Nuk do të lejojmë e nuk do të pranojmë standard zgjedhore afrikane për shqiptarët. Asgjë më pak se standardet e zgjedhjeve të lira. Dhe, kushti i kushteve për zgjedhje të lira është qeveria tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, që do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të marrë masat që të gjithë qytetarët të votojnë të lirë, të pakërcënuar, të pashantazhuar, të pablerë në vullnetin etyre. Nga vendosmëria juaj, nga qeendresa juaj, nga forca juaj, nga kurajo juaj varet sesi do të përfurnojë kjo betejë. Në këto javë që vijnë, duke nisur nga 11 maji, do të varen ndoshta 5, 10 apo 15 vitet e ardhshme të Shqipërisë”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati iu kundërpërgjigj dhe zërave se me mos pjesëmarrjen në zgjedhje PD-ja mund të shkrihet si parti, ndërsa shprehu vendosmëri se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Madje ai dha një paralajmërim të fortë se bashkinë e Vaut të Dejës e drejtuar nga demokratët nuk e dorëzon kurrë.

“Nuk jemi parti ne që lindëm për kalkulime elektorale. Ne jemi parti që lindëm për një mision kombëtar, ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë që rrëzuam Enver Hoxhën dhe diktaturën e tij. Ne jemi partia që do t’i japë Shqipërisë zgjedhje të lira e demokratike dhe do t’i hapë rrugën e bllokuar të integrimit europian. Edhe një gjë ta keni fare të qartë: zgjedhje më 30 Qershor nuk ka për të pasur. Zgjedhje të diktuara mga krimi nuk do të ketë në asnjë cep të Shqipërisë, aq më pak në Vaun e Dejës . Kur të vijnë zgjedhjet, që ne do t’i diktojmë bashkë dhe ne do të synojmë në të njëjtën ditë edhe zgjedhjet parlamentare, edhe zgjedhjet lokale, ka shumë gjëra që do të diskutojmë deri atëherë. Por një gjë e kemi të sigurt sot. Bashkinë e Vaut të Dejës nuk e dorëzojmë. Kurrë. Askujt. Askush mos ta mendojë e askush të mos guxojë. Ju them sot në emrin tuaj e në emrin tim, as mos e çoni në mend Bashkinë e Vaut të Dejës. Fitore!”, deklaroi Basha.
Më herët në rrethin e Mirditës, PD-ja organizoi një protestë kundër qeverisë “Rama”. Protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit, me pankarta dhe thirrje “Rama ik”. Të pranishëm në protestë ishin edhe ish-deputetët Andon Frrokaj dhe Lindita Metaliaj si dhe përfaqësuesi i PD Çlirim Gjata. Më pas kryedemokrati Basha iu drejtua takimit në Korçë ku do të shpëndajë disa karta të reja anëtarësimi të rinjve që kanë pranuar të jenë pjesë e PD-së.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




