Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një deklaratë për median në mbrëmje, ku parashtroi kërkesat e opozitës sa i takon asaj që pretendohet si zgjidhje të krizës. Sipas tij kriza, lindi nga bashkëpunimi me krimin i PS nën drejtimin e Edi Ramës. “Me këta njerëz nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike. Kriza ku jemi nuk është krizë që ka lindur nga shkaqe dhe procese politike. Ajo është krizë që ka lindur nga shkaqe kriminale dhe nga procesi kriminal i bashkëpunimit të qeverisë dhe Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës me krimin e organizuar. Për këtë arsye zgjidhja e krizës politike kalon nga çmontimi i mekanizmit të bashkëpunimit të strukturuar krim-politikë”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati dha gjithashtu edhe emra konkretë të atyre që sipas tij duhet të jenë para drejtësisë dhe duhen ndëshkuar. Dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i të gjithë këtyre njerëzve të përfshirë në përgjimet e Bild, nga çdo post shtetëror që mbajnë është kushti i Bashës.
“E vërteta është e thjeshtë: I gjithë shteti, nga Kryeministri tek punonjësit e fundit publikë kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin dhe me krimin në mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar për të vjedhur votat. Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Kryetari i Komisionit Paralamentar të Sigurisë, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe Administratës Publike, deputetë, shefa policie, shefa hipotekash, drejtorë tatimesh dhe të drejtorive arsimore, deri policë, dhe mësues janë përfshirë në një konspiracion kriminal së bashku me vrasës, trafikantë dhe keqbërës të tjerë për të dhunuar vullnetin dhe votën e popullit shqiptar. Edi Rama është planifikuesi, dhe drejtuesi i këtij konspiracioni kriminal dhe garantuesi i pandëshkueshmërisë së të gjithë atyre të përfshirë në të, nga politikanët dhe punonjësit publike tek kriminelët. Si rezultat, të gjithë ata që kanë kryer krimet zgjedhore vazhdojnë të jenë në postet që kanë pasur, ose më lart, dhe vazhdojnë të kenë në dorë proceset zgjedhore në Shqipëri. Si rezultat, askush prej tyre nuk është marrë i pandehur dhe nuk po zhvillohet një hetim i vërtetë nga prokuroria që kontrollohet politikisht nga Edi Rama. Kjo është e vërteta”, tha ai.

Sipas tij, politikisht këta njerëz nuk mund dhe nuk duhet të jenë pjesë e asnjë procesi. Me këta njerëz nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike.
“Ata tashmë janë subjekt i drejtësisë dhe jo politikës. Të gjithë ata që janë përfshirë në bashkëpunimin kriminal midis krimit dhe politikës, pa asnjë përjashtim duhet të dalin para drejtësisë. Drejtësia duhet të hetojë dhe dënojë jo vetëm aktivitetin kriminal të bashkëpunimit për të vjedhur votat, por edhe çdo lloj bashkëpunimi midis qeverisë dhe figurave të krimit. Me këtë ekip krim-politik të lirë dhë të paprekur dhe me këtë Kryeministër në detyrë, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Këto kushte janë tashmë përtej vullnetit tim dhe vullnetit të drejtuesve të opozitës: ato janë kërkesë e shqiptarëve”, theksoi kreu i kësaj partie.
Sipas tij, bandat e PS-së janë shpërblyer me leje ndërtimin për punën e kryera gjatë vjedhjeve të zgjedhjeve. “Shteti u dha Avdylajve edhe mundësinë të përdorin dhe pastrojnë paratë e krimit duke ju dhënë leje ndërtimi dhe leje të tjera, direkt apo indirekt në emër të tyre. Mbi katër leje ndërtimi ka marrë banda e Avdylajve nga Vangush Dako. E njejta gjë në Peshkopi. Imer Lalës dhe të tjerëve shteti u dha licensën të kultivonin dhe trafikonin drogën. Madje policia direkt u ka afruar këtë pazar kriminelëve: na ndihmoni të vjedhim vota dhe jeni të lirë të mbillni kudo kanabis. Vjedhja e votave ka çuar në kapjen e shtetit dhe të ekonomisë nga krimi. Trafikantët e drogës sot financojnë direkt apo indirekt kompani ndërtimi, projekte zhvillimore, kompani minerare, kompani transporti, televizione, koncesione publike, punë publike, janë në naftë në minerale ne rezorte turistike dhe në zhvillimin e pronave. Jo pak biznese tani kanë bërë aleanca me kriminelët për menaxhimin dhe mbrojtjen e bizneseve të tyre sepse krimineli u ofron atyre edhe forcën e dhunës, edhe mbrojtjen e shtetit”, theksoi Basha. Ndërsa akuzoi kryeministrin se po përpiqet që të mbulojë këto skandale të dala nga përgjimet e Bild me propagandën e tij. Për herë të parë kryedemokrati në daljen e tij nuk përmendi zgjedhjet e 30 qershorit, e as nëse do të bllokohet ose jo nga opozita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




