Politike

Basha me fasonët: Qeveria po i shtyn drejt mbylljes

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar sot me përfaqësuesit e Unionit të Fasonistëve të Shqipërisë, z.Gjergji Gjika dhe z. Florian Zekja mbi shqetësimet e tyre të mëdha për krizën e krijuar për shkak të Covid-19.

Gjatë bisedës me përfaqësuesit e Unionit të Fasonistëve të Shqipërisë, Gjergji Gjika dhe Florian Zekja, Basha është shprehur se qeveria po u shton kostot fasonerive duke u rrezikuar mbijetesën. Sipas kryedemokratit qeveria në vend që t’i mbështesë financiarisht, po shpenzon taksat e qytetarëve me koncesione dhe i shpërdoron në mënyrë korruptive.

“Fasonët po përballen me probleme, nga rënia e prodhimit dhe e shitjeve tek mungesa e likuiditetit për të paguar detyrimet ndaj shtetit dhe pagat e punonjësve. Në vend të mbështetjes për të mbrojtur vendet e punës, qeveria ka shtuar kostot e tyre, duke rrezikuar mbijetesën e qindra ndërmarrjeve”, shkruan Basha në “Facebook”.

Basha thotë se me “protokollin e kuq” krejtësisht të pazbatueshëm, qeveria po i shtyn fasonët drejt mbylljes.

“Me ‘protokollin e kuq’ krejtësisht të pazbatueshëm, qeveria po i shtyn fasonët drejt mbylljes, pa patur detyrimin për ti mbështetur financiarisht punonjësit e tyre. Nëse fasonët falimentojnë, 70 mijë punonjës humbin vendin e punës. Kjo duhet parandaluar urgjentisht.

Është koha që fondet që shpërdorohen në mënyrë korruptive, të shkojnë në mbështetje dhe mbrojtje të punonjësve dhe të bizneseve duke rritur ndihmën ndaj tyre”, vijon më tej Basha.

Ndër të tjera, Basha është shprehur se “paratë e taksave të shqiptarëve sot duhet të shkojnë të gjitha në ndihmë të njerëzve dhe të ekonomisë. Njerëzit meritojnë mbështetjen e munguar ekonomike, biznesi sot ka nevojë për mbështetje, ekonomia ka nevojë për frymëmarrje dhe likuiditet, ndërsa qeveria e ka për DETYRË t’ju garantojë atyre ndihmën financiare që ju takon”.

Më herët kryedemokrati Basha kërkonte mbylljen e fasonerive, pasi i konsideronte si vatra të rrezikshme infeksioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë