Politike

Basha mbledh aleatët: Protesta do të hyjë në histori

Në prag të protestës së nesërme të opozitës së bashkuar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur aleatët në selinë blu për të koordinuar veprimet për tubimin para godinës së kryeministrisë.

Lideri demokrat, pak çaste më parë zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Çekisë, ndërsa prej aty i përcolli edhe një mesazh të fortë ndërkombëtarëve, teksa iu kërkoi të mos jenë palë me asnjë parti politike në Shqipëri.

“I kërkoj të jenë palë me vlerat e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe të luftës kundër drogës dhe shitblerjes së votës. Protesta e së nesërmes do të jetë tjetër rast për të ngritur zërin. Kam bindjen se do të hyjë në histori për të ndalur të keqen dhe për të hapur dyert në Europë”, u shpreh më herët Basha.

Pas djegies së mandateve, opozita e bashkuar ka zhvendosur betejën politike nga Kuvendi në rrugë, ndërsa kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimin e një qeveria tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.

“Protesta e nesërme do të jetë një tjetër rast për shqiptarët, për t’u bashkuar dhe për të ngritur zërin. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që e vetmja mënyrë për të garantuar ndarjen e së keqes, është protesta, – shtoi Basha. – Këtë e tregoi protesta e Teatrit, këtë e tregoi protesta e banorëve të Unazës, këtë e tregoi protesta e Studentëve, këtë e tregoi protesta e 16 Shkurtit dhe protestat e tjera që pasuan, këtë do e tregojë edhe protesta e së nesërme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë