Politike

Basha mbledh 350 anëtarë të Këshillit Kombëtar për të votuar …tre emra

Rreth 350 anëtarë të Këshillit Kombëtar, përfshi 28 anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike, do të mblidhen nesër on line për të votuar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve për deputet që as më shumë e as më pak do të jenë 5 të tillë dhe dy emra ndihmës.

350 anëtarë të Këshillit që rrallë janë mbledhur në një sallë edhe kur nuk ka patur rrezik pandemie, do të mblidhen on line për të votuar teorikisht 5 anëtarët e Komisionit, por praktikisht do të duhet të votojnë vetëm për 3 të tillë.

Deri tani janë bërë publike dy emrat kryesorë të vlerësimit të kandidatëve, Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj, që i kanë zënë tashmë dy vende pa votim.

Nesër, Basha do të mbledhë gjithë strukturën partiake për të propozuar vetëm tre emrat e tjerë të komisionit dhe dy ndihmësat, këta të fundit nuk do të jenë të lidhur direkt me procesin

Që do të thotë se, më shumë sesa një mbledhje pune, kemi një takim probagandistik për të njoftuar se PD-ja ka hyrë në fazën e dytë; atë të seleksionimit të kandidaturave për deputet që pritet të zgjasë gjatë gjithë muajit Gusht.

Përpos Rulit dhe Mustafajit, anëtarë të tjerë të komisionit pritet të jenë personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike… etj.

Komisioni do të vlerësojë secilin kandidat, nëse përmbush kriteret e parashikuara nga udhëzimi apo jo.

Në përfundim të procesit hartohen dy lista: Lista e kandidatëve që do t’i nënshtrohen procesit të konsultimit me anëtarët dhe lista e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.

Ky proces do të zgjasë një muaj. Në fillim të shtatorit PD-ja hyn në fazën e tretë kur në një ditë të shpallur paraprakisht për votim, cdo anëtar do të ketë të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista.

Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, është jo më shumë se 20 % e numrit total të listës së kandidatëve, për secilën degë. Kandidati që ka më shumë se 20 % “votë kontestuese”, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar.

Për të kaluar më pas tek faza e tretë ajo e kalimit në kryesi dhe Këshill Kombëtar ku  kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë 80 % të listës së kandidatëve të partisë në zgjedhje, dhe 20 % e saj do të përzgjidhen emra nga Kryesia e PD-së si prurje të reja.

I gjithë procesi pritet të përmbyllet në muajin Tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë