Në daljen e parë publike pas depozitimit të listës së kandidatëve për deputet në KQZ, Lulzim Basha nuk i dha përgjigje dy pyetjeve në konferencën për shtyp me gazetarët; sa mandate synon opozita të fitojë në zgjedhje dhe a do të japë dorëheqjen nëse humb.
Në të njëjtën kohë, Basha siguroi se lista e deputetëve, që ai ka hedhur në fushatë është fituese dhe se emrat brenda saj garantojnë ndryshimin.
“Me 25 prill ndryshimi nuk ka vetëm formën dhe fytyrën e kandidatëve për deputetë, por të mijëra shqiptarëve. Natyrisht nuk do të jetë një betejë e lehtë, jo vetëm pse qeveria në ikje përsëri e kanë venë bastin te njerëzit pa integritet, që edhe në kohë pandemia kanë vjedhur bukën e fëmijëve me tendera.
Pa largimin e Edi Ramës nuk ka ndryshim, sepse njësoj siç ka ndryshuar diçka në jetën e tij edhe lista e tij është fasadë, pas të cilës janë këta njerëz…” , tha Basha. Por cila është përshtypja e Bashës për listën “Rama”?
“Diku edhe nuk i ka shpëtuar dot mundësinë për të ngritur një fasadë, kudo ndihet dora e krimit, mjafton të shohim qarkun e Durrësit kandidatin e Avdylajve, Çyrben e famshëm të përgjimeve të Bild-it, kandidatin e bandave të tjera të Shijakut edhe të Durrësit, dhe natyrisht Rrahman Rrajen, emër i njohur edhe ndërkombëtarisht.
Po përmend këta tre emra por shumë të tjerë janë fshehur pas fytyrave anonime që përfaqësojnë këto klane kriminale. Pas 8 vjetësh e vetmja gjë që ofron është një fasadë, një çarçaf i arnuar poshtë të cilit gëlojnë hajdutët e mëdhenj të ekonomisë së shqiptarëve dhe bandat e krimit të organizuar”, tha Basha.
Basha nënvizoi se vetëm pas 25 Prillit vjen ndryshimi dhe kjo fjalë sipas tij nënkupton largimin e një njeriu Edi Ramës.
“Kriminelët janë ashiqare. Hajdutët me damkë dhe njerëzit e kapur janë ashiqare, por të gjithë e dimë se nëse do kishte pasur kurajë të sillte një listë cilësore asgjë nuk do të ndryshojë pa largimin e Ramës. Me 25 prill largojmë Edi Ramën dhe sjellim ndryshimin.
Nuk ka gjë që më jep më shumë energji sesa kurba rritëse e atyre që ka arritur në rekorde të panjohura, jo vetëm në 15 vite, por në 230 vite tranzicion. Privilegj më të madh nuk ka se sa bashkë me ekipin tim ti prijmë aspiratës për ndryshim.
Ndryshoi në mënyrë të njëanshme si asnjëherë në 30 vite kodin dhe kur asnjëra prej tyre s’i eci, risolli prap njerëzit e listave të zeza të departamentit të shtetit dhe kriminelët me shpresën se këta do ta ndihmojnë ta kthejë Shqipërinë në pashallëkun e vet privat. Edhe sot pashallëk është. Ka më shumë pushtet se çdo njeri pas Enver Hoxhës dhe ja ku është rezultati”, tha ai.
“Fytyra njerëzore e politikës, vijoi Basha, kjo është lista jonë”.
“Ky është hapi i parë për të çliruar institucionet qytetarëve. Nuk e kam vënë në dyshim se beteja nuk filloi para një muaji apo një viti. PD ka forcën dhe kapacitetet për të marrë përsipër barrën e ndryshimit”, tha ai. Po për përfshirjen e Najada Comos dhe Luljeta Bozos në listat e PS?
“Ju si media keni mbuluar gjatë këtyre 8 viteve dhunën ndaj grave, se si policia nuk guxonte as të merrte deklaratën në Fushë Krujën e kriminelëve Rraja. Se si mijëra gra janë dhunuar sistematikisht, mijëra të tjera janë larguar nga puna. Ju jeni dëshmitarë se si i ka përdorur dhe flakur gratë shqiptare. Gratë janë pasuria më e çmuar. Këtë e them si baba i vajzave dhe si bashkëshort. Pa iu dhënë fuqi nënave, grave Shqipëria nuk do të ecë përpara. Një nga problemet e shoqërive të prapambetura, është pabarazia gjinore. Vendet e pabarazisë gjinore shpesh herë përdorin makijazhet që Edi Rama i ka përdorur gjatë këtyre 8 viteve. Gratë shqiptare nuk e besojnë, por një gjë garantoj, çdo nënë, vajzë apo grua, unë nuk do t’i përdor kurrë si makijazh”.
I pyetur nëse aleatëve opozitarë i janë dhënë më shumë poste nga sa e meritojnë, Basha tha se “Aleanca për Ndryshim” nuk është matematikë për vende dhe poste.
“Aleanca për ndryshim është bashkim vullnetesh dhe kërkesa për ndryshim nuk është matematikë për vende dhe poste. Ne jemi bashkuar prej vitesh në një sakrificë sublime për të sjellë ndryshimin.
Ne dhe aty ku duket sikur kemi diferenca në program një gjë na bashkon, t’i japim shqiptarëve atë që kërkojnë me ngulm. Duan largimin e Ramës dhe ne do ta sjellim këtë ndryshim. Do bëjmë të mundur së bashku me aleatët mbajtjen e këtyre premtimeve.
Koalicioni ynë është i bashkuar dhe 25 prilli është dita kur zemërimi i heshtur i miliona shqiptarëve do të derdhet në kutitë e votimit”, tha Basha duke kërkuar disa herë pjesëmarrje të lartë në votime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



