Politike

Basha kundër paketës PS-PD Rithemelimi: Pro zgjatjes së mandatit të prokurorëve dhe kreut të SPAK

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një dalje publike për median u shpreh se ai dhe PD-ja nuk kanë asnjë informacion për grupin e punës në Kuvend për paketën e reformës në drejtësi.

“PD nuk ka asnjë informacion ata që janë emëruar në shtator 2022 si pjesë e atij grupi. PD është jashtë këtij procesi. Është e papranueshme çdo akt që bëhet prapa shpinës së PD-së. Ça do që të gatuajnë është jashtë informimit dhe njohurive dhe aprovimit të PD-së. PD nuk është pjesë e saj, kemi gjithë arsyet të shohim me dyshim të madh. Paskan bërë diçka që ekspertët perëndimorë e kanë refuzuar” tha Basha. Megjithatë, Basha u shpreh pro ndryshimeve kushtetuese, (ndryshe nga sa kanë rënë dakord pjesa tjetër në politike) që synon zgjatjen e mandatit të prokurorëve dhe kreut të SPAK.

“E para për mandatin e prokurorëve nuk ka nevojë të ulesh me PS, është ndryshim i thjeshtë në Kushtetutë. Nëse përdoret si vegël për llogari të PS është manovër e ulët. Ne i bëjmë propozime dhe i publikojmë dhe i çojmë në parlament. Në paketën që kemi çuar janë të gjitha propozimet që mbështesin SPAK. Dhe nëse kanë vullnet të ndryshojnë mandatin jemi të hapur, ky është një ndryshim mekanik kushtetues. Nëse duan ta përdorin si çengel për të tjera gjëra, atëherë derën e kanë të mbyllur” tha Basha.

Miratimin e amnistisë penale me votat e Rithemelimit dhe mazhorancës, Basha e cilësoi sërish pazar.

“Atentat kundër reformës në drejtësi, për të siguruar mbijetesën e një kaste politike që mbi interesat e shqiptarëve zgjedh gjithnjë interesat e veta. PD është distancuar nga ky veprim i turpshëm dhe sot është dita e në vazhdim, që çdo deputet që ka ngrit kartonin të distancohet nga ky akt i turpshëm, nga ky atentat kundër reformës në drejtësi. Heshtja e tyre i kompromenton rëndë si pupacë të qeverisjes së Ramës. Kjo është e rëndë për ata deputetë që ndodhen aty me mandat opozitar. Ky ka qenë një akt i menduar dhe planifikuar tinëzisht, pr.ligjin e parë pranuan që e kishin konsultuar me SPAK dhe institucionet e tjera, ky i dyti që u pazarua në mes të natës dhe u trafikua në mëngjes ishte i planifikuar. Bënë bashkë votat për të amnistuar të dënuarit për korrupsion, ndërkohë që nuk përfitojnë protestuesit kundër korrupsionit”, tha Basha.

Më herët, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një prononcim për mediat, u shpreh se për Amnistinë Penale të gjitha përgjigjet do t’i japë ditën e enjte në Kuvend, në një interpelancë të kërkuar nga Partia Demokratike zyrtare.

“Të gjitha përgjigjet i marrin të enjten se më kanë thirrur në interpelancë! Është një nga ligjet më qëllimmira që janë miratuar në atë parlament, rreth 800 veta janë bashkuar me familjet e tyre dhe të përshtaten me shoqërinë. S’ka asgjë për të fshehur në atë ligj, është një ligj që do të duhet që parlamenti ta aplikojë sa herë të jetë e nevojshme”, tha Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë