Lulzim Basha dhe një grup i deputetëve të Partisë Demokratike nënshkruan në përvjetorin e 31-të të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës peticionin për dekomunistizimin e shoqërisë, një nismë e shoqërisë civile, që synon ta kthejë atë në ligj në Kuvend.
“Rishikimi i gjithë objekteve publike, shkolla, sheshe, institucione. Muzealizimi i vendeve ku kanë vuajtur njerëzit, kampeve të përqendrimit, si dhe rishikimi i kurrikulave mësimore në mënyrë që brezi i ri të rritet jo duke e glorifikuar, por duke kuptuar fare mirë traumën që ka kaluar ky vend”, tha ai.
Në fjalën e mbajtur nga Sheshi Skënderbej, Basha kërkoi që të hiqet dorë nga kulti i individit.
“Përmes qëndrimeve tona, përmes veprimeve tona të mos lejojmë më kurrë kultin e individit as në mesin tonë, as në mesin e shoqërisë shqiptare. Zoti na ka bërë të barabartë! Detyra jonë është t’i japim mundësinë çdokujt të ecë përpara sipas aftësive të veta. Por askush mes nesh nuk mund të jetë më Zot me fatet e shqiptarëve”, vijoi kreu i PD.
Nisma për dekomunistizimin e shoqërisë ka mes pikave të saj edhe hapjen e plotë dhe me akses për të gjithë qytetarët të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, ndalimi i glorifikimit të figurës së Enver Hoxhës nga zyrtarët shtetërore dhe të zgjedhurit nga populli dhe një formë vettingut për politikanët dhe drejtuesit e institucioneve, duke larguar prej tyre personat që kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit.
Nisma kërkon nga parlamenti miratimin e një kuadri ligjor që ndalon propagandën glorifikuese të regjimit komunist, ndalon përdorimin e simboleve të regjimit në mjediset publike, fut në sitë politikanët dhe largon nga politika bashkëpunëtorët e regjimit, rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve që mbajnë emra bashkëpunëtorësh të regjimit, rishikimin e kurrikulave mësimore, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.