Politike

Basha e Berisha përplasen pa dhunë se kush i shërben më shumë Edi Ramës

Sali Berisha dhe Lulzim Basha u shfaqën në “skenën e krimit”, ku u pari foli me këmbëngulje për të vijuar me protestat për të larguar nga kryesimi i opozitës i atij që e quan peng të Edi Ramës dhe i dyti foli me këmbëngulje për t’i rezistuar të parit.

Berisha doli rreth orës 15:00, kur udhëhoqi Komisionin e Rithemelimit të PD-së drejt selisë. Dyert e partisë këtë herë i gjeti të hapura totalisht, por këtë herë duket se zgjodhi vullnetarisht që të mos hynte brenda godinës dhe konferencën e mbajti në shkallët e jashtme të godinës.

“Protesta do të mbahet. Kjo është selia e PD. Ata që pranojnë për kryetar të PD-së, kryetarin e emëruar nga Edi Rama me policë, bëjnë një akt destabilizues ndaj Shqipërisë. Ne kemi zbatuar rregullat në mënyrë rigoroze”, tha Berisha.

“Sot është një ditë bilanci i të djeshmes tragjike për demokratët e shqiptarët dhe ndonëse ndahem këtu prej pothuajse pa pushim nga ngjarja nuk mund të ndaj asgjë tjetër me demokratët dhe të gjithë shqiptarët veçse trishtimit të thellë nga ajo që ka ndodhur dje”, tha Lulzim Basha.

Berisha fajësoi Bashën për shkatërrimin e godinës, duke e blinduar atë. Basha iu kundërpërgjigj se autori i shkatërrimit ishte Berisha, që tha se u shfaq mbi rrënoja i buzëqeshur.

Që të dy zhvilluan sërish garën se kush i shërben më shumë Edi Ramës.

“Nuk ka shqiptar që s’e di sot që Edi Rama ka një zyrë në Kryeministri dhe deri sa ta çlirojmë edhe një zyrë në këtë seli. Lulzim Basha në mënyrë përfundimtare është murosur në muret e Kryeministrisë deri sa ta çlirojmë nga Edi Rama”, tha Berisha.

“Përfituesi i vetëm, Edi Rama dhe sot e tregoi me daljen e tij të turpshme. Njeriu që po bën gjithçka për të mbuluar skandalin e inceneratorëve. Njeriu që kanabizoi Shqipërinë, njeriu i 1001 skandaleve doli sot dhe na shiste moral dhe këtë ia mundësoi vetëm Sali Berisha. Të lidhur në një binom, njëri i shpallur non grata dhe tjetri me të gjitha rekordet për t’u shpallur non grata”, tha Basha.

Pasi akuzuan njëri tjetrin se kush më shumë e kush më pak po i shërbente e bashkëpunonte me Edi Ramën, që të dy u hodhën në sulm për të folur se kush ka mbështetjen e demokratëve.

“Lulzim Basha është në armiqësi totale me të gjithë familjen demokrate, më të vdekur dhe të gjallë. Ai ka ndenjur deri në orët e para të mëngjesit për të bërë listat e arrestimit të demokratëve. Ai ka mbajtur në seli vrasësit dhe ka nxjerrë jashtë me makinën e tij, armët në mënyrë që nëse policia do të futej në seli, të mos i gjente vrasësit e tij të armatosur”, deklaroi Berisha.

“Nuk mund të marrë peng shpresat dhe aspiratat e qindra mijëra votuesve tanë. Ndaj sot unë nuk kam dhe nuk mund të kem buzëqeshje në fytyrë. Për fat të mirë dje nuk u derdh gjak, ashtu siç dëshironte Sali Berisha me një grusht kriminelësh duke abuzuar me ata qindra demokratë të cilët i thirri për t’i përdorur si fasadë”, tha Basha.

Basha foli për bajraktarët e trekëndëshit të Bermudës dhe u shpreh se ai në krye të PD-së është alternative njerëzore dhe normale për shqiptarët.

“Jemi një alternativë që ndan shapin nga sheqeri, përmes vettingu-t të politikanëve, që bashkon trekëndëshin e Bermudës por që bashkon të gjithë shqiptarët për realizimin e tij”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë