Politike

Basha do të votojë pro zgjatjes së vettingut, por me dy kushte. Berisha e bojkoton

Partia Demokratike do të votojë pro zgjatjes së afateve të komisioneve të vettingut. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit parlamentar, pak para nisjes së seancës plenare të kësaj të enjteje.

Dakordësia është gjetur pas presionit të ndërkombëtarëve që palët të bien dakord dhe të ndërhyjnë në Kushtetutë për të zgjatur me dy vite punën e dy komisioneve, Komisionit të Pavarur të Kualifkimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ndërkohë, grupi i deputetëve që mbështesin Berishën pritet që ta bojkotojnë këtë votim, ndërsa publikisht Edi Paloka është shprehur se është kundër. Paloka e ka cilësuar votën pro të opozitës si rreshtim me Edi Ramën. Ai thotë se “ky votim do të vendosë se kush është opozita e vërtetë e vendit”.

Ditët e fundit, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një sërë takimesh me mazhorancën dhe opozitën. Publikisht ajo ka deklaruar se është diskutuar për zgjatjen e mandatit të komisioneve të vettingut, por nuk përjashtohet mundësia që në këtë diskutime të jenë dhënë garanci për shtyrjen përpara të disa nismave të Partisë Demokratike.

Basha vetë ka deklaruar se prioritet i PD-së në Kuvend është reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, e cila sipas tij nis sot, duke e lënë nismën e vettingut politik për një moment të dytë. Socialistët kanë shprehur dakordësinë për të dyja këto reforma, por ndasitë mes palëve është se sa thellë do të shkojnë ato.

Për reformën zgjedhore, pika që ndan PS me PD mbetet depolitizimi i administratës zgjedhore, që është edhe rekomandim i OSBE/ODIHR. PS kërkon depolitizimin e saj, ndërsa PD e cilëson të parakohshëm dhe se më parë duhet depolitizuar e gjithë administrata publike.

Sa i takon reformës territoriale, qëndrimet nuk janë sekret. PD kërkon shtimin e numrit të bashkive në 100, ndërsa PS ofron deri më tani korrigjimin e hartave të kufijve administrativë, por pa prekur numrin e bashkive, ose reduktimin edhe më tej të këtij numri.

Për vettingun politik dhe kryerjen e këtij procesi nga SPAK, PS është shprehur kundër. Edhe vetë SPAK ka shfaqur rezerva për këtë propozim, pasi thotë se do të rrisë edhe më tej ngarkesën për këtë strukturë duke e shpërqëndruar nga misioni kryesor që ka; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë