Politike

Basha do të analizojë Berishën. Formulari, në sitë edhe zgjedhjet e 2009-s dhe 2013-s

Analiza e Partisë Demokratike nuk do të kufizohet vetëm me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, por do të kthehet pas në kohë duke analizuar edhe rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit që kjo parti u udhëhoq nga Sali Berisha.

Degëve të partisë u është dorëzuar formulari me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi.

Sipas këtij formulari, krahasimi i votave do të bëhet vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe ai do të fillojë që me rezultatin e 2009-ës, për të vijuar më pas me rezultatet në 2013-të, që ishin zgjedhjet e fundit ku kjo parti drejtohej nga Berisha dhe dy zgjedhjet e Bashës në 2017-të dhe 2021.

Në raportin analitik, degët duhet të përcaktojnë edhe shkaqet e faktorët që kanë çuar në rritje, apo ulje të rezultatet në secilën prej këtyre zgjedhjeve, të identifikojnë elementët për secilin rast dhe ofrojnë një alternativë se si mund të arrihet një rezultat më i mirë.

Javën që kaloi, PD miratoi metodologjinë mbi bazën e së cilës do të analizohet rezultati zgjedhor i 25 prillit dhe gjithë proceset që pasuan këto zgjedhje. Metodologjia është e bazuar në disa pika dhe në të gjithë frymën e saj theksi vendoset te qëndrimi se 25 prilli ishte një masakrës zgjedhore.

Pika gjashtë është edhe më interesantja. Në këtë pikë, Sekretariatit Organizativ të Partisë Demokratike i jepet tagri që të propozojë pezullimin, apo shkarkimin e drejtuesve vendorë të partisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja për drejtuesit e rinj, proces ky që duhet të përfundojë para shtatorit.

Sipas kësaj metodologjie, brenda datës 5 Korrik 2021 Drejtuesi Politik i Qarkut paraqet Raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku, sipas Formatit Tip të miratuar me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, brenda 2 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Më pas, raporti analizues i paraqitet Kryesisë brenda datës 10 korrik. Në këtë datë nis faza e dytë e analizës, ku përfshihet sekretariati organizativ i partisë dhe organet e tjera drejtuese, që do të verifikojnë dhe analizojnë performancën e degëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë