Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha ka çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët me Italinë. Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari Kreshnik Çollaku tha se kjo marrëveshje u shpall në mënyrë të çuditshme dhe se nuk ka pasur asnjë transparencë nga ana e kryeministrit Edi Rama.
“Marrëveshja u shpall në një mënyrë të çuditshme, e panjoftuar, zgjoi një reagim të logjikshëm shqetësimi, ka qenë objekt i thellë diskutimi debati publik në vend dhe Itali. Në dallim nga trajtimi i marrëveshjes në Itali, në Shqipëri ka munguar transparenca nga kryeministri. Rama ja ka dalë të fshihet herë duke përdorur kaosin parlamentar, duke shmangur debatin publik. PD si pas asaj që premtuan që në orën e parë, i është drejtuar GJK me tre kërkesa”, tha Çollaku.
Tre kërkesat e Partisë Demokratike
Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë
Pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes
Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr.43/2016“Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të marrëveshjes së së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “
Ndërkohë edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike i drejtuar nga Gazment Bardhi dhe Sali Berisha kanë depozituar më vonë edhe ata një padi në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët.
Në një dalje për mediat, Lindita Metaliaj deklaroi se kjo është një marrëveshje antiligjore.
“Dorëzuam padinë për këtë marrëveshje, pasi jemi në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Nuk mundet Rama të vendosë për fatin e vendit tonë në shkelje të të drejtave të njeriut. I jemi falënderues popullit italian, por kjo nuk ka të bëjë me ta. Ne do të presim vendimin e gjykatës Kushtetuese dhe nëse pajtohet apo jo kjo marrëveshje me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Metaliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.