Politike

Basha citon Deklaratën e Pavarësisë: Qytetarët rrëzojnë qeveritë shkatërruese

Edhe lideri demokrat, Lulzim Basha i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditën kombëtare të Festës së Pavarësisë. Për të përcjellë urimin e tij, kryedemokrati ka zgjedhur Deklaratën e Pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku me urimin për Shtetet e Bashkuara, ai ka publikuar edhe një foto nga protesta e opozitës së bashkuar në Tiranë, duke i dhënë në mënyrë indirekte një mesazh edhe qeverisë shqiptare.
“Këtë 4 korrik dua ta nis me më të famshmin citim nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Ne i konsiderojmë të mirëqena këto të vërteta:
Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë,
Se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme,
Mes të cilave janë Jeta, Liria dhe Ndjekja e Lumturisë.
Se për të siguruar këto të drejta, njerëzit krijojnë qeveri”, shkruan Basha në “Facebook”.
Basha vijon më tej duke thënë se kur një qeveri kthehet shkatërruese ndaj interesave të qytetarëve, këtyre të fundit ju lindë e drejta për ta rrëzuar.
“Dhe sa herë që cilado mënyrë e qeverisjes,
Kthehet në shkatërruese ndaj këtyre qëllimeve,
Është e Drejta e njerëzve,
Ta ndryshojnë ose rrëzojnë një qeveri të tillë,
Dhe të themelojnë një qeverisje te re,
Bazuar mbi ato parime dhe me ato pushtete,
Që sipas njerëzve garantojnë më së miri, Sigurinë dhe Lumturinë e tyre!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë së SHBA!”, përfundon Basha.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/photos/a.757503284300855/2491710210880145/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë