Politika është duke mbyllur pushimet relativisht të gjata të kësaj vere dhe po i rikthehet normalitetit të saj, ende pa u hapur zyrtarisht sezoni i ri.
Lulzim Basha iu përgjigj përmes rrjeteve sociale deklaratave të Kryeministrit Edi Rama para deputetëve e ministrave aktualë dhe deputetëve e ministrave potencialë të mandatit të tretë.
Në shënimin e tij të shkurtër, kryedemokrati thotë se beteja e opozitës nuk është kundër Partisë Socialiste dhe socialistëve të thjeshtë dhe akuzon Edi Ramën për kapje të shtetit, korrupsion dhe shkatërrim të ekonomisë.
“Por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë. Shqiptarët i’a dinë dështimet, raportet ndërkombëtare ia kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë”, shkruan ai.
Detyra e opozitës dhe e gjithë shoqërisë, sipas Bashës është vetëm një.
“Të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Platforma qytetare për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë që e duan ndryshimin dhe janë të vendosura të shpëtojnë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij”, mbyll reagimin e tij kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.