Arben Ahmetaj është në krye të koordinimit të punës dhe menaxhimit të burimeve njerëzore dhe financiare për përballimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, por Lulzim Basha thotë se ministri i Shtetit për Rindërtimin për të mos thelluar gropën në buxhetin e shtetit duhet të japë vetëm një kontribut personal.
“Ministri Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto duhet të dorëzojnë kontratat që u kushtojnë shqiptarëve më shumë se 400 milionë euro të incineratorëve dhe ky do të jetë kontributi personal i zotit Ahmetaj dhe i zotit Klodian Zoto, që gropa mos të jetë kaq e thellë. Këto para që janë planifikuar t’u merren shqiptarëve, një pjesë e të cilave janë hedhur tashmë, madje në disa raste pa filluar punë akoma me kompani offshore, këto para nuk mund të shkojnë më as te Klodian Zoto, e as tek ata që fshihen pas tij. Kështu që zoti Ahmetaj ka një kontribut personal për të dhënë që gropa të jetë jo aq e thellë sa e kanë planifikuar dhe para pandemisë me PPP, me koncesionet dhe tenderat korruptivë”, u shpreh Basha.
Gjatë video-konferencës me gazetarët, të mbajtur këtë të mërkurë, kreu i PD-së përsëriti thirrjen drejtuar Qeverisë që të rishikojë paketën e ndihmës. Ai krahasoi paketën e ndihmës në Shqipëri me atë në Kosovës për të argumentuar se shuma është e pamjaftueshme.
“Kosova ka një buxhet dy herë më të vogël se Shqipëria, e megjithatë ka kaluar një paketë tre herë më të madhe se Shqipëria. 65 milion euro me 170 milion euro. Ky është krahasimi midis dy qeverive, dy vendeve, dy anëve të një kombi dhe ky krahasim nxjerr zbuluar fokusin e qeverisë dhe autoriteteve të Kosovës tek interesi i qytetarëve dhe fokusin deri më tani të gabuar dhe të pamjaftueshëm të qeverisë së Tiranës”, tha Basha.
Kryedemokrati këmbëngul se buxheti i shtetit mund ta përballojë faturën, por vetëm nëse anulohen koncesione dhe tendera, që opozita i vlerëson si klientëliste dhe korruptive. Ai përshëndeti njoftimin e Agjencisë së Prokurimit Publik që kërkoi pezullimin e procedurave për të gjithë tenderat që nuk lidhen me Covid-19, megjithëse e vlerësoi si hap të vonuar.
“Është e mundur tërësisht për Shqipërinë dhe shqiptarët me anulimin e tenderave dhe pezullimin e afro 200 milion eurove që ishin planifikuar të shkonin në drejtime totalisht të panevojshme, madje korruptive. Është hedhur një hap i parë dhe shumë i vonuar, i kërkuar prej 3 javësh nga unë personalisht, nga Partia Demokratike dhe gjithë opozita e bashkuar. Sot dua të përsëris kërkesën urgjente për anulimin me vendim qeverie të gjithë koncesioneve dhe PPP, për alokimin e 120 milionë eurove që janë planifikuar këtë vit tërësisht në funksion të emergjencës në mënyrë që të mbështeten të gjitha kategoritë që kanë mbetur pa mbështetje nga vendimi i parë, por i paplotë i qeverisë”, shtoi Basha.
Por, vetëm anulimi i tenderave nuk mjafton sipas kreut të PD-së. Hapi i radhës, tha Basha, duhet të jetë anulimi i menjëhershëm i koncesioneve dhe PPP-ve.
“As shqiptarët dhe as Shqipëria nuk e kanë luksin të shpenzojnë miliona euro me koncesione, me PPP apo me tendera korruptivë të panevojshëm. Për këtë arsye kërkoj menjëherë një paketë të plotë ndihme, e cila të vijë në kufijtë e nevoja që ka sot Shqipëria dhe shqiptarët dhe mundësive që ofron buxheti i shtetit. Dua ta përsëris fare qartë: është e pafalshme që tre javë pas propozimit të opozitës për një paketë sociale dhe ekonomike Shqipëria të mjaftohet me një paketë që është vetëm sa një e treta (1/3) e paketës së Kosovës”, tha ai.
Basha deklaroi se nga anulimi i tenderave kursehen 200 mln euro, ndërsa tha se opozita do ta ndjekë me kujdes zbatimin e vendimit të APP-së për pezullimin e të gjithë tenderave që nuk kanë objekt luftën me Covid-19. Basha kërkoi gjithashtu edhe transparencë për të gjithë tenderat dhe procedurat që do të lidhen me situatën e jashtëzakonshme, duke sjellë si shembull rastin e kompanisë që fitoi tenderin me vlerë 1.5 mln euro të Ministrisë së Mbrojtjes për furnizimin me ushqime.
PD thotë se tenderi në fjalë është dhënë pa garë dhe se kompania “Eurovia Shpk” nuk plotësonte kriteret e vendosura, madje vetëm 6 ditë para se të fitonte këtë tender kishte shtuar në objektin e veprimtarisë së saj fushën e ushqimoreve. Për këto arsye, PD dorëzoi në SPAK një padi ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.