Kosova

Serbët bllokojnë rrugët në afërsi të pikave kufitare në Merdarë dhe Jarinjë. KFOR dhe EULEX të pranishëm (foto)

Nga Gazeta 'Si'- Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.

Dy makina, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.

Gjithashtu, raportohet se një numër i vogël serbësh janë mbledhur 500 metra në Jarinjë, të cilët po qëndrojnë në një kafene aty pranë. Policia e Kosovës po i rekomandon makinat me emigrantë që të mos e kalojnë kufirin drejt Serbisë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë parë të veshur me antiplumb, ndërkohë që prezentë janë edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilat janë duke vëzhguar situatën.

Kryetari i së ashtuquajturit Asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova. Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.

"Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e  Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviç duke shtuar se do të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë