Kosova

Barrikadat e serbëve/ Escobar takon Kurtin dhe Osmanin, shmang deklaratat

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar u rikthye me urgjencë në Kosovë pas rritjes së tensioneve dhe rikthimit të barrikadave nga ana e serbëve. Ai zhvilloi në Prishtinë takime të veçanta me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës, Osmani në këtë takim ka shprehur nevojën urgjente për largimin e barrikadave në veri te Kosovës. Në këtë takim ajo ka theksuar se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë.
Osmani ka thënë se Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut, pavarësisht veprimeve të Serbisë për ta minuar dialogun.
Escobar ndërkohë pas takimit në selinë e qeverisë me Kurtin nuk ka dhënë asnjë qëndrim në lidhje me situatën. Ai ka thënë së për këtë nuk mund të komentojë pa përfunduar të gjitha takimet.

“Nuk është se kam ndonjë gjë për të thënë. Jam pjesë e një angazhimi rutinor, tashmë këtu. Do të them më shumë, por do të kem disa takime të tjera pastaj do të diskutojmë”, tha Escobar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë