Kosova

Barikadat serbe në kufi: Bërnjaku dhe Merdarja ende të mbyllura, në Jarinë vijon qarkullimi! Shoqatat serbe në protestë

Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjaku dhe Merdarja, vijojnë të jenë të mbyllura që prej mbrëmjes së djeshme për qarkullim.

Kjo është situata më e fundit nga kufiri serbo-kosovar, teksa tensionet vijnë në rritje. Gjithashtu raportohet se disa shoqata serbe kanë dalë në protestë duke bllokuar rrugën në kufi, me pankarta, shkruan “REL”.

Ndërkohë raportohet se në Jarinë qarkullimi vijon pa probleme. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Gazetën Zëri se në Jarinjë qarkullimi po vazhdon normalisht pa telashe, derisa konfirmoi se dy pikat tjera vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Fillimisht u mbyllë pikëkalimi në Bërnjak. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svelça, tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët, shkruan media kosovare “Express”.

Ai bëri me dije se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.

“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Svelça.

Pas mesnatës, ai njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.

“Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situates”, shkroi Svelç

Edhe kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi pas mbylljes së Bërnjakut, ku tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.

“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”, shkroi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.

Në krahun tjetër, përfaqësues nga disa shoqata serbe kanë bllokuar rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë. Grupe të vogla njerëzish u mblodhën pasditen e 6 shtatorit në kalimet kufitare në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, ku ndaluan kamionë dhe drejtues makinash me dokumente të Kosovës. Bllokimi i rrugëve u bë pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës.

Bllokimi kufitar prej serbëve në veri/ Kurti refuzon të jap koment: Sot kemi festë
Kryeministri Albin Kurti, i cili ka vizituar mbrëmë festivalin e vjeljes së rrushit “Hardh Fest” në Rahovec, ka thënë se “sot kemi festë” kur është pyetur për bllokimin e pikat kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ai ka preferuar të flasë për verërat që i ka degustuar në panairin e këtij festivali. Kurti e pranoi se ka provuar goxha shumë sonte dhe se e ka të vështirë ta zgjedhë më të mirën, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, verërat e Rahovecit janë cilësore dhe mund të krahasohen me ato franceze.

Ai, tutje ka treguar edhe për ndihmën e Qeverisë për vreshtarët dhe verëtarët e Kosovës.

“Ka shumë verëra të mira, nuk mund ta zgjedh vetëm një. 100 mijë veta e vizitojnë ‘Hardh Festin’ dhe unë i inkurajoj të gjithë që të vijnë sonte, ose nesër apo pasnesër mbrëma. Duke ardhur këtu, ne i mbështesim edhe vreshtarët edhe verëtarët tonë. Nga 8 milionë litra verë që prodhohen, 7.8 milionë janë për eksport. Këtu ka ndikuar shumë Ministria e Bujqësisë, e cila i ka mbështetur me 1050 euro për hektarë vreshtarët, ndërkaq verëtarët i ka mbështetur me 8 centë për litër”, ka thënë kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë